Home / Lajme / Kosova / Rritet tregtimi i energjisë në ALPEX, mbi 190 GWh të tregtuara në prill

Rritet tregtimi i energjisë në ALPEX, mbi 190 GWh të tregtuara në prill

Bursa shqiptaro-kosovare e energjisë ALPEX ka shënuar rritje të ndjeshme të volumit të energjisë elektrike të tregtuar gjatë muajve të fundit, duke reflektuar zgjerimin gradual të aktivitetit në tregun rajonal të energjisë.

Sipas raportit mujor të ALPEX, gjatë prillit 2026 në Tregun e Ditës në Avancë janë tregtuar rreth 190.1 GWh energji elektrike, krahasuar me 128.7 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej afro 50%.

Vlera totale e transaksioneve gjatë muajit prill arriti në 30.4 milionë euro. Në zonën e ofertimit të Shqipërisë u tregtuan 118.3 GWh energji, me një çmim mesatar prej 84.6 euro/MWh, ndërsa në zonën e ofertimit të Kosovës volumi arriti në 127.27 GWh, me çmim mesatar prej 84.95 euro/MWh.

Edhe muaji mars shënoi aktivitet të lartë në bursë. Sipas të dhënave të ALPEX, volumet totale të energjisë elektrike të tregtuara në tregjet e saj arritën në 174,315 MWh, ndërsa rrjedhat ndërkufitare kapën nivelin prej 56,622 MWh, përcjell Energy Monitor.

Në Tregun e Ditës në Avancë gjatë marsit u tregtuan mbi 165 mijë MWh energji elektrike, me çmim mesatar klerues prej 96.89 euro/MWh. Pjesa më e madhe e rrjedhave ndërkufitare ishte nga Shqipëria drejt Kosovës, me mbi 47 mijë MWh, ndërsa nga Kosova drejt Shqipërisë u regjistruan mbi 3 mijë MWh.

Të ardhurat totale të faturuara për muajin mars arritën në mbi 36.1 milionë euro, prej të cilave rreth 20.3 milionë euro i përkisnin zonës së ofertimit të Kosovës dhe 15.8 milionë euro zonës së Shqipërisë.

ALPEX bëri të ditur gjithashtu se gjatë marsit në tregjet e saj morën pjesë 43 anëtarë të bursës, ndërsa një kompani e re iu bashkua tregut të ditës në avancë në Shqipëri.

Bursa e energjisë ALPEX u themelua nga operatorët e transmetimit KOSTT dhe OST në vitin 2020, ndërsa tregtimi i përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nisi zyrtarisht në fillim të vitit 2024.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com