Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar raportin e 100 ditëve të punës, ku pjesa kryesore në fushën e energjisë lidhet me mbrojtjen e konsumatorëve dhe kontrollin e tregut të energjisë elektrike.
Ajo tha se Inspektorati dhe Agjencia e Metrologjisë kanë kryer kontrolle të vazhdueshme mbi njësorët elektrikë, duke shqiptuar gjoba që arrijnë rreth 200 mijë euro për raste të njësorëve të skaduar dhe keqpërdorimeve në matjen e konsumit të energjisë.
“Janë kryer obligimet në raport me mbrojtjen e konsumatorit dhe vendosjen e gjobave për mosrespektim të rregullave nga operatorët. Vlera e dënimeve për njësorë të skaduar ose keqshfrytëzim ka arritur afër 200 mijë euro,” tha Kusari-Lila, përcjell Energy Monitor.
Ajo shtoi se çështja e kompensimit të qytetarëve mbetet në kompetencë të “agjencisë që merret me rregullimin e tregut të energjisë”, ndërsa ministria ka fokus në inspektim dhe vendosje të gjobave.
Në përgjithësi, në raportin e saj u përmend edhe zhvillimi i politikave energjetike dhe tregtare, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare dhe mbështetjen e industrisë vendore, por pa hyrë në detaje të gjera në sektorë të tjerë.
Ky zhvillim vjen në vazhdën e kontrolleve të shtuara ndaj njësorëve elektrikë dhe debateve të fundit për parregullsi në matjen e energjisë dhe funksionimin e tregut të energjisë në Kosovë.



