Banorët e fshatit Devajë në komunën e Vitisë kanë nisur një peticion kundër një projekti për vendosjen e paneleve solare, duke thënë se iniciativa po kufizon hapësirat e përdorura tradicionalisht për bujqësi dhe blegtori.
Sipas banorëve, projekti rrezikon “tkurrjen” e fshatit dhe humbjen e tokave që kanë shërbyer prej vitesh për aktivitetet e tyre, ndërsa ata kanë ngritur edhe dyshime për mënyrën e dhënies së parcelave dhe mundësi favorizimesh në proces.
Nga ana tjetër, kompania fituese DAKA GROUP ka reaguar duke thënë se e drejta e shfrytëzimit është fituar përmes një ankandi publik të hapur dhe konkurrues, ku oferta e saj ka rezultuar më e favorshme ekonomikisht, njofton Energy Monitor.
Kompania ka hedhur poshtë pretendimet për ndikime apo parregullsi, duke theksuar se procesi ka qenë “plotësisht ligjor dhe transparent”, ndërsa ka shtuar se projekti synon zhvillim ekonomik, vende pune dhe standarde më të larta mjedisore në zonë.
Çështja pritet të diskutohet edhe në Kuvendin Komunal të Vitisë në fund të muajit, ndërsa autoritetet lokale kanë deklaruar se shqetësimet e banorëve do të merren parasysh para vendimmarrjes finale.



