Home / Highlights / Përurohen investimet për efiçiencë të energjisë në banesën sociale dhe çerdhen “Gëzimi Ynë” në Istog

Përurohen investimet për efiçiencë të energjisë në banesën sociale dhe çerdhen “Gëzimi Ynë” në Istog

Në Istog është përuruar implementimi i masave të efiçiencës së energjisë në dy objekte me rëndësi të veçantë për komunitetin – një ndërtesë sociale shumëbanesore dhe çerdhen “Gëzimi Ynë”.

Projekti për banesën sociale është financuar 90% nga Bashkimi Evropian dhe 10% nga Komuna e Istogut, ndërsa investimi në çerdhe është financuar nga Qeveria e Kosovës dhe është zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investimi në banesën sociale përfshin 18 familje në nevojë, përfshirë gra kryefamiljare dhe nëna vetushqyese, duke e cilësuar projektin pjesë të programit më të gjerë për mbështetjen e familjeve të cenueshme përmes masave të kursimit të energjisë, transmeton Energy Monitor.

Sipas saj, projekti është pjesë e një programi prej 6.6 milionë eurosh që përfshin 28 banesa sociale në 13 komuna të Kosovës, në kuadër të paketës së Bashkimit Evropian për përballimin e krizës energjetike.

Nga ana tjetër, drejtuesit e FKEE-së bënë të ditur se investimet në ndërtesën sociale kanë mundësuar kursim të energjisë deri në 80%, ndërsa vlera e projektit arrin afër 200 mijë euro.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, tha se përmes paketës energjetike prej 75 milionë eurosh, BE-ja ka mbështetur mbi 45 mijë qytetarë në Kosovë përmes investimeve në izolim të objekteve, pajisje efiçiente dhe masa të tjera për kursim të energjisë.

Sipas institucioneve, këto investime synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës, uljen e konsumit të energjisë dhe krijimin e objekteve më të ngrohta gjatë dimrit dhe më efikase gjatë verës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com