Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se është iniciuar procesi për plotësim-ndryshimin e legjislacionit për Parqet Kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”.
Sipas Pacollit, rishikimi i ligjit synon të krijojë një balancë ndërmjet mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, përmes ridefinimit të statusit të zonave të banimit në Rugovë, Lug të Butë dhe Deçan, transmeton Energy Monitor.
Ajo tha se procesi do t’u përshtatet specifikave të secilit rajon, me synimin për të garantuar kushte më të mira jetese për banorët lokalë, duke ruajtur njëkohësisht natyrën, traditat, kulturën dhe historinë e këtyre zonave.

Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë procesit të rishikimit do të organizohen dëgjime publike dhe konsultime me banorët e zonave të prekura, në mënyrë që kërkesat dhe shqetësimet e tyre të trajtohen me prioritet.



