Balkan Green Foundation ka lansuar raportin për Modelin e Shërbimit për Komunitetet e Efiçiencës së Energjisë dhe ka organizuar një panel diskutimi mbi rritjen e efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore në Kosovë.
Në fokus të diskutimit ishte sfida e transformimit energjetik në ndërtesat kolektive, ku përveç aspektit teknik, si izolimi, dritaret apo sistemet e ngrohjes, sfidë kryesore mbetet koordinimi ndërmjet banorëve, financimi, pengesat ligjore dhe kapacitetet e kufizuara komunale.
Paneli u moderua nga drejtori ekzekutiv i Balkan Green Foundation, Dardan Sejdiu, ndërsa pjesë e diskutimit ishin Drejtoresha Menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Njomza Hoxha, drejtori ekzekutiv i PHE, Arton Berisha, si dhe Sergiy Maslichenko, shef i EBRD në Kosovë.
Sipas pjesëmarrësve, efiçienca e energjisë nuk lidhet vetëm me uljen e konsumit të energjisë, por edhe me përmirësimin e kushteve të jetesës, forcimin e besimit publik, mbështetjen e ekonomisë lokale dhe afrimin e tranzicionit të gjelbër me jetën e përditshme të qytetarëve, njofton Energy Monitor.
Gjatë diskutimit, Njomza Hoxha prezantoi përvojën e FKEE-së në financimin dhe zbatimin e projekteve të efiçiencës së energjisë në Kosovë, si në sektorin publik ashtu edhe në atë rezidencial.
Ajo foli edhe për projektin e parë të efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore private, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me GIZ Kosovo dhe financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze.
Sipas FKEE-së, projekti synon të shërbejë si model për zgjerimin e investimeve në ndërtesat shumëbanesore dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Ngjarja u realizua në kuadër të projektit “Energy Transition and Climate Mitigation in Kosovo”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i implementuar nga LuxDev.



