Home / Highlights / ZRRE sot vendos për mbi 280 MW projekte të reja solare dhe dhjetëra vetë-konsumatorë

ZRRE sot vendos për mbi 280 MW projekte të reja solare dhe dhjetëra vetë-konsumatorë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të mbajë sot mbledhjen e shtatë për vitin 2026, ku në rend dite janë një numër i madh aplikacionesh për autorizim të projekteve të reja solare dhe kërkesa për vetë-konsum të energjisë elektrike.

Sipas rendit të ditës, Bordi pritet të shqyrtojë tetë aplikacione për autorizim të projekteve të energjisë diellore me kapacitet total prej 285 MW, të shpërndara në komuna të ndryshme të Kosovës, kryesisht në Istog, Pejë, Malishevë dhe Prizren.

Në mesin e projekteve më të mëdha është ai i kompanisë “Eco Park Group” për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 84 MW në zonën kadastrale Trestenik në Komunën e Pejës.

Një tjetër projekt i madh që pritet të shqyrtohet është ai i kompanisë “AKG Solar Tuçep”, me kapacitet prej 80 MW në zonat kadastrale Tuçep dhe Kërrninë në Komunën e Istogut, njofton Energy Monitor.

Po ashtu, në rend dite janë edhe projektet “AKG Solar Kërrninë 1” me kapacitet 40 MW, “AKG Solar Veriq” me 40 MW dhe “AKG Solar Kërrninë 2” me 28 MW, të gjitha të planifikuara në territorin e Komunës së Istogut, përcjell Energy Monitor.

Ndërkohë, kompania “SOLAXY” ka aplikuar për një park solar prej 9 MW në Lladroc të Malishevës, ndërsa “SUNNEX ENERGY” për një projekt prej 3 MW në të njëjtën zonë.

Në Prizren, kompania “L&D Energy Solution” ka aplikuar për autorizim të një centrali solar prej 1 MW në zonën kadastrale Petrovë.

Të gjitha projektet kanë deklaruar se energjia e prodhuar do të shitet në treg sipas çmimeve të tregut dhe kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës, përfshirë lejet mjedisore, lejet ndërtimore, marrëveshjet për kyçje në rrjet dhe dëshmitë financiare, përcjell Energy Monitor.

Përveç projekteve solare, Bordi i ZRRE-së do të shqyrtojë edhe 12 kërkesa për autorizim për vetë-konsum të energjisë elektrike, përfshirë biznese dhe konsumatorë individualë.

Në mesin e aplikuesve për vetë-konsum janë kompanitë “MEKA”, “Mega Petrol” dhe “Nori Group”, si dhe disa persona fizikë që synojnë instalimin e sistemeve për prodhim të energjisë për nevoja vetjake, njofton Energy Monitor

Përveç shqyrtimit të një vale të madhe projektesh solare dhe kërkesave për vetë-konsum, mbledhja e sotme e Bordit të ZRRE-së përfshin edhe çështje kyçe të sektorit të ngrohjes qendrore, ku do të trajtohen bilancet vjetore dhe afatgjata të energjisë termike për Termokosin dhe NQ Gjakova.

Agjenda kombinon autorizimin e kapaciteteve të reja të prodhimit nga dielli me planifikimin e furnizimit termik dhe balancimin afatgjatë të sistemit energjetik, duke reflektuar njëkohësisht presionin në rritje për integrimin e gjenerimit të ripërtëritshëm dhe nevojën për stabilitet në sektorët bazë të energjisë dhe ngrohjes.

Mbledhja e Bordit të ZRRE-së do të mbahet nga ora 10:00 në Prishtinë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com