Home / Lajme / Kosova / Haradinaj: Kosova po humb pavarësinë energjetike

Haradinaj: Kosova po humb pavarësinë energjetike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar politikat energjetike të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke pretenduar se ato po e bëjnë Kosovën më të varur nga importi i energjisë elektrike dhe po favorizojnë tregun rajonal në dëm të prodhimit vendor.

Haradinaj tha se gjatë mandatit të tij ishin ndërmarrë hapa për forcimin e pavarësisë energjetike të vendit, duke përmendur taksën 100% ndaj mallrave serbe, projektin e termocentralit të ri me kompaninë ContourGlobal dhe iniciativën amerikane për zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror.

Sipas tij, refuzimi i këtyre projekteve ka ndikuar negativisht në sigurinë energjetike të Kosovës.

“Në vitin e kaluar Kosova ka shpenzuar rreth 259 milionë euro për importin e energjisë elektrike”, deklaroi Haradinaj, duke shtuar se vendi po mbetet i varur nga energjia e importuar në periudhat kur prodhimi vendor nuk mbulon kërkesën.

Ai reagoi edhe ndaj diskutimeve të fundit për projektin e gazit amerikan, duke pretenduar se persona të afërt me pushtetin po organizojnë kundërshtime ndaj kësaj nisme.

“Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton”, deklaroi Haradinaj.

Debati për gazin natyror është rikthyer në qendër të vëmendjes javët e fundit, pas thirrjeve të përfaqësuesve amerikanë që Kosova të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes në projektet rajonale të gazit, ndërsa Qeveria e Kosovës ka mbajtur qëndrim se prioritet mbeten investimet në energji të ripërtëritshme dhe sistemet e magazinimit të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com