Teksa investimet në parqet fotovoltaike po shtohen me ritme të shpejta, Shqipëria përballet me një paradoks energjetik: prodhon gjithnjë e më shumë energji nga dielli, por nuk disponon asnjë kapacitet për ta magazinuar atë. Nëse sot vendi ka arritur të ndërtojë mbi 630 MW kapacitete fotovoltaike, sfida reale nuk lidhet më me prodhimin, por me aftësinë për të ruajtur dhe menaxhuar energjinë e tepërt që gjenerohet gjatë orëve të pikut.
Të dhënat e siguruara nga Ekofin.al tregojnë se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit energjetik, ku mungesa e magazinimit po shfaqet si pengesa kryesore për zgjerimin e mëtejshëm të energjisë diellore.
Sot në vend operojnë 53 centrale fotovoltaike, me një kapacitet të instaluar prej 631.07 MW, ose rreth 18% të totalit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike. Gjatë vitit 2025, këto impiante prodhuan 832.3 GWh energji, duke kontribuar me rreth 11% të prodhimit vendas.
Shifrat tregojnë qartë se energjia diellore nuk është më një burim periferik. Ajo po fiton peshë në miksin energjetik kombëtar dhe po ndihmon në uljen e varësisë nga hidrocentralet, të cilat vazhdojnë të dominojnë prodhimin vendas.
Megjithatë, ndërsa kapacitetet e prodhimit po shtohen, infrastruktura që duhet të mbështesë këtë transformim nuk po ecën me të njëjtin ritëm.
Energjia nuk ruhet dot
Pika më kritike e situatës aktuale është se Shqipëria nuk ka asnjë sistem funksional për depozitimin e energjisë elektrike.
Vetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pranon se aktualisht nuk ekzistojnë kapacitete magazinimi, pasi ligji në fuqi për sektorin e energjisë nuk e ka parashikuar këtë aktivitet.
Kjo do të thotë se energjia e prodhuar në orët kur dielli është në kulm duhet ose të konsumohet menjëherë, ose të kalojë në rrjet. Në të kundërt, sistemi nuk ka mekanizma për ta ruajtur dhe përdorur më vonë.
Në praktikë, ky është një kufizim i madh për çdo vend që synon të mbështetet te energjia diellore. Fotovoltaikët prodhojnë më shumë energji pikërisht në orët kur konsumi shpesh nuk është maksimal, ndërsa në mbrëmje, kur kërkesa rritet, prodhimi bie në zero.
Pa bateri industriale apo sisteme të tjera magazinimi, Shqipëria mbetet e detyruar të mbështetet te rrjeti dhe te eksportet e mundshme për të absorbuar tepricat.
Investime të mëdha për të forcuar rrjetin
Ministria argumenton se sistemi i transmetimit po përmirësohet. Gjatë vitit 2025 u transmetuan 10,095 GWh energji elektrike, ndërsa humbjet në rrjet ranë në 1.9%, nga 2.02% një vit më parë.
Këto janë tregues pozitivë, por nuk i japin përgjigje pyetjes kryesore: çfarë do të ndodhë kur në rrjet të lidhen dhjetëra projekte të tjera fotovoltaike që janë në proces autorizimi ose ndërtimi?
Pikërisht për këtë arsye, OST ka nisur planifikimin e investimeve të mëdha në rrjetin 400 kV, me fokus rajonin e Fierit, ku është përqendruar pjesa më e madhe e investimeve në energjinë diellore. Projekti për mbylljen e unazës 400 kV, së bashku me zgjerimin e nënstacioneve dhe ndërtimin e linjave të reja ndërkufitare, synon të krijojë hapësirë për integrimin e burimeve të reja të rinovueshme.
Ligji po ndryshon, por tregu ka ecur më shpejt
Një tjetër element që bie në sy është fakti se zhvillimi i sektorit fotovoltaik ka ecur më shpejt sesa kuadri ligjor. Vetëm tani, me projektligjin e ri për energjinë elektrike, po krijohen bazat ligjore që do të lejojnë ndërtimin e njësive të magazinimit. Ndërkohë, Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për të lejuar prodhuesit të shtojnë sisteme depozitimi pranë centraleve ekzistuese.
Ky është një zhvillim i domosdoshëm, por vjen në një moment kur dhjetëra investime fotovoltaike tashmë janë në funksion ose në proces realizimi.
Ministria parashikon që deri në vitin 2030 Shqipëria të mbulojë nevojat e saj energjetike dhe të kthehet në eksportues neto të energjisë elektrike.
Megjithatë, kjo ambicie nuk do të realizohet vetëm me ndërtimin e parqeve të reja fotovoltaike.
Sfida kryesore e viteve të ardhshme nuk do të jetë sa energji do të prodhojë Shqipëria, por sa prej saj do të jetë në gjendje të ruajë dhe të përdorë në momentin e duhur. Sot vendi po investon fuqishëm në prodhim, ndërsa hallka e magazinimit mbetet ende në letër.
Dhe ky është paradoksi i tranzicionit energjetik shqiptar: sa më shumë energji diellore të shtohet në sistem, aq më e dukshme bëhet mungesa e mekanizmave për ta ruajtur atë. Nëse ky boshllëk nuk adresohet me shpejtësi, rreziku është që suksesi i investimeve në fotovoltaikë të kufizohet jo nga mungesa e diellit, por nga mungesa e infrastrukturës që e shoqëron atë. /ekofin.al



