Kosova duhet ta shohë madhësinë e saj të vogël jo vetëm si kufizim, por edhe si mundësi për të përshpejtuar tranzicionin energjetik, duke u integruar më thellë në tregjet rajonale dhe duke ndërtuar një sistem të ri energjetik të mbështetur te burimet e ripërtëritshme, magazinimi dhe zgjidhjet e decentralizuara.
Kështu vlerëson Sobiah Becker, këshilltare e Partneritetit Gjermano-Kosovar për Klimën dhe Energjinë, në një intervistë të publikuar nga GIZ Kosovo, ku ka folur për politikat klimatike, tranzicionin energjetik dhe sfidat e zbatimit të objektivave të Kosovës.
Sipas saj, sfida kryesore nuk është vetëm zhvillimi i teknologjive të reja, por krijimi i kushteve institucionale dhe rregullative që mundësojnë investimet dhe e bëjnë tranzicionin të zbatueshëm në praktikë, përcjell Energy monitor.
Becker thekson se Partneriteti Gjermano-Kosovar për Klimën dhe Energjinë po mbështet Kosovën në përparimin e objektivave të saj klimatike dhe energjetike, zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe përafrimin me kërkesat që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Një pjesë e punës së partneritetit zhvillohet në nivel lokal, përmes mbështetjes për komunat në hartimin e Planeve Komunale për Energji dhe Veprim Klimatik. Qëllimi është që objektivat kombëtare për energjinë dhe klimën të përkthehen në masa konkrete që mund të zbatohen nga institucionet lokale.
Në nivel ndërkombëtar, partneriteti po mbështet gjithashtu pjesëmarrjen e Kosovës në proceset dhe forumet ndërkombëtare për klimën. Becker e përshkruan rolin e saj si një proces përkthimi të angazhimeve politike në kërkesa teknike dhe më pas në masa që institucionet mund t’i zbatojnë në praktikë, njofton Energy monitor.
Një nga mesazhet kryesore të Becker lidhet me nevojën që Kosova të mos përpiqet ta zhvillojë sistemin e saj energjetik të izoluar nga rajoni.
Sipas saj, madhësia e vogël e sistemit energjetik të Kosovës mund të shihet si përparësi nëse vendi lëviz para se të ngurtësohen strukturat e sistemit ekzistues dhe lidhet më fort me tregjet rajonale. Integrimi i tregjeve të energjisë me vendet e tjera nuk është vetëm një kërkesë që lidhet me përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por edhe mundësi për qasje në një treg më të madh, kapacitete të përbashkëta balancuese dhe investime që do të ishin më të vështira për një sistem të vogël të izoluar.
Në këtë drejtim, potenciali i Kosovës për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, veçanërisht nga dielli, shihet si një nga mundësitë kryesore. Becker përmend edhe net-metering si një nga mekanizmat që u mundëson familjeve dhe bizneseve të marrin pjesë drejtpërdrejt në sistemin energjetik.
Megjithatë, rritja e prodhimit nga dielli dhe era kërkon edhe ndryshime në mënyrën se si funksionon sistemi energjetik. Sipas Becker, mikro-rrjetet, sistemet e magazinimit dhe zgjidhjet e tjera të decentralizuara mund t’i japin Kosovës mundësinë të ndërtojë një sistem më fleksibil, në vend që thjesht të përshtatë infrastrukturën ekzistuese të ndërtuar për një model tjetër energjetik.
Magazinimi shihet si një nga elementet që do të përcaktojnë këtë transformim, veçanërisht në kushtet kur Kosova synon të rrisë kapacitetet e energjisë diellore dhe të erës.
Për pesë vitet e ardhshme, Becker shpreson që tranzicioni klimatik dhe energjetik të mos shihet më si një agjendë e mbështetur kryesisht nga donatorët, por si pjesë normale e mënyrës se si Kosova planifikon zhvillimin e ekonomisë së saj, përcjell Energy monitor.
Ajo përmend si objektiva konkrete për vitin 2031 përmbushjen ose afrimin e qartë të objektivave klimatike dhe energjetike, integrimin e burimeve të ripërtëritshme në një rrjet të përshtatur për to, funksionalizimin e kapaciteteve të magazinimit në shkallë të gjerë dhe pensionimin e të paktën një njësie të termocentraleve me qymyr, duke siguruar njëkohësisht mundësi të reja punësimi për fuqinë punëtore.
Në këtë kuadër, ajo vlerëson se një nga rezultatet më të rëndësishme do të ishte forcimi i kapaciteteve teknike të vetë institucioneve të Kosovës, në mënyrë që tranzicioni energjetik të udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga institucionet vendore.
Partneriteti Gjermano-Kosovar për Klimën dhe Energjinë, i zbatuar me mbështetjen e GIZ, synon pikërisht të lidhë politikat klimatike dhe energjetike me zbatimin praktik, nga niveli qendror deri te komunat dhe proceset ndërkombëtare.



