Home / Lajme / Tjera / Ish-ministrja e Energjisë Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Ish-ministrja e Energjisë Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës, pasi Kuvendi i Kosovës e votoi me 81 vota në raundin e parë, në një seancë të zhvilluar në orët e vona të 6 tetorit.

Shiroka-Pula, e cila deri tani drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), bëhet kështu presidentja e re e vendit pas një procesi të zgjatur politik për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ajo është ekonomiste dhe profesoreshë universitare, ndërsa një pjesë e rëndësishme e karrierës së saj profesionale lidhet me sektorin e energjisë dhe minierave. Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, ministria drejtoi ndër të tjera punën për dokumente dhe politika të rëndësishme për sektorin, përfshirë Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2009–2018 dhe kuadrin ligjor për energjinë, minierat dhe mineralet.

Në vitin 2011, Shiroka-Pula u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2014. Para dhe pas angazhimit politik, ajo ka zhvilluar një karrierë të gjatë akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku ka ligjëruar që nga viti 1978 dhe është emëruar profesoreshë e rregullt në vitin 2004, njofton Energy monitor.

Shiroka-Pula u zgjodh anëtare korrespondente e ASHAK-ut në vitin 2016, ndërsa në vitin 2020 u bë anëtare e rregullt e Akademisë. Në dhjetor të vitit 2025 u zgjodh kryetare e ASHAK-ut, duke u bërë gruaja e parë në krye të këtij institucioni.

E lindur në Prishtinë në vitin 1953, Shiroka-Pula është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1976, ndërsa studimet pasuniversitare i ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit. Ajo ka ndjekur gjithashtu studime pasdoktorate në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në SHBA.

Në karrierën e saj akademike dhe profesionale, ajo është marrë veçanërisht me ekonominë, menaxhmentin, vendimmarrjen, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë. Ka qenë gjithashtu një nga themelueset e Rrjetit të Biznesit të Grave Kosovare në vitin 2001.

Me zgjedhjen në krye të shtetit, Shiroka-Pula rikthehet në institucionet më të larta publike të Kosovës pas një periudhe të gjatë të angazhimit akademik dhe drejtimit të ASHAK-ut.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com