Në një analizë të publikuar në KOHA, eksperti i energjisë Naim Bujupi ka theksuar se debati për gazin natyror në Kosovë nuk duhet të reduktohet në një përballje politike “pro” apo “kundër”, por duhet të trajtohet si një çështje strategjike që lidhet me sigurinë energjetike, kostot afatgjata, tranzicionin energjetik dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Bujupit, Kosova duhet ta analizojë me kujdes nëse dhe në çfarë forme gazi mund t’i shërbejë sistemit energjetik të vendit. Ai vlerëson se pranimi i gazit pa kushte do të ishte i gabuar, por po ashtu edhe refuzimi i tij pa analiza të plota nuk do t’i shërbente interesit afatgjatë të vendit.
“Për Kosovën, debati për gazin nuk duhet të mbyllet me slogane. Ai duhet të hapet me pyetje strategjike: çfarë infrastrukture i duhet vendit, kush e mbështet financiarisht, çfarë problemi zgjidh gazi në sistem dhe si mbrohet konsumatori nga barra e një vendimi afatgjatë”, ka shkruar Bujupi.
Ai thekson se Kosova aktualisht nuk ka rrjet të transmisionit të gazit dhe as treg funksional të gazit natyror. Sipas tij, Strategjia e Energjisë 2022–2031 e trajton gazin si një mundësi që mund të lidhet me interkoneksione rajonale, terminale LNG dhe korridore të ardhshme energjetike, por jo si një zgjidhje të gatshme për krizën e radhës.
Në këtë kuadër, Bujupi argumenton se çdo projekt me gaz do të ishte një investim shumëvjeçar që kërkon infrastrukturë, financim, rregullim ligjor, kapacitete teknike dhe kontrata të qëndrueshme furnizimi. Për këtë arsye, sipas tij, vendimi nuk duhet të bazohet në çmimet aktuale të gazit, por në skenarë afatgjatë që marrin parasysh sigurinë e furnizimit, fleksibilitetin e sistemit, ndikimin në tarifa dhe krahasimin me alternativa të tjera.
Duke analizuar gjendjen aktuale të sektorit energjetik, Bujupi vëren se Kosova vazhdon të ketë një sistem të dominuar nga termocentralet me thëngjill dhe ekspozim ndaj importeve, veçanërisht gjatë periudhave të ngarkesës së lartë në dimër. Sipas tij, sfida kryesore nuk është vetëm bilanci vjetor i energjisë elektrike, por kapaciteti i disponueshëm në orët kritike kur kërkesa arrin nivelet më të larta.
Megjithatë, ai thekson se rruga e tranzicionit energjetik të Kosovës nuk duhet të jetë vetëm e fokusuar te gazi. Strategjia aktuale vendore synon rritjen e burimeve të ripërtëritshme, zhvillimin e baterive për balancim, përmirësimin e rrjetit dhe rritjen e efiçiencës së energjisë. Në këtë kuptim, gazi duhet të vlerësohet sipas rolit që mund të ketë në sistem dhe jo si zëvendësim i gjithë strategjisë së tranzicionit, njofton Energy Monitor.
Sipas Bujupit, përdorimi më racional i gazit për Kosovën do të mund të ishte si kapacitet fleksibilizues për balancimin e sistemit, si furnizim për industri me konsum të madh ose si pjesë e zgjidhjeve rajonale ku infrastruktura dhe kostot ndahen me partnerë të tjerë. Ai paralajmëron se një zgjerim i gjerë i rrjetit të gazit për amvisëri ose ndërtimi i kapaciteteve të mëdha me gaz për prodhim bazë të energjisë do të kërkonte analiza shumë të thelluara për shkak të kostove dhe rrezikut të krijimit të varësive të reja.
Në lidhje me thirrjet e fundit nga Shtetet e Bashkuara që Kosova të angazhohet në projektet rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG), Bujupi vlerëson se çështja nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi ekonomik i çmimit të energjisë, por edhe nga aspekti i sigurisë, diversifikimit dhe partneriteteve strategjike.
Ai thekson se për një vend si Kosova, marrëdhëniet strategjike me aleatët kanë rëndësi, por kjo nuk duhet të zëvendësojë analizën ekonomike dhe teknike. Sipas tij, çdo projekt strategjik duhet të shoqërohet me mbështetje strategjike në financim, ulje të rrezikut të investimit dhe mbrojtje të konsumatorëve.
Bujupi argumenton se nëse gazi trajtohet si pjesë e një arkitekture më të gjerë energjetike që përfshin burime të ripërtëritshme, bateri, rrjet më të fortë, integrim rajonal dhe mbështetje ndërkombëtare, atëherë ai meriton një analizë serioze. Por nëse paraqitet si një zgjidhje e izoluar politike pa kërkesë të qartë dhe pa analizë të kostove, ekziston rreziku që të shndërrohet në një barrë afatgjatë.
Sipas tij, hapi i ardhshëm duhet të jetë një debat profesional dhe transparent, ku të analizohen skenarët e furnizimit, kostot e infrastrukturës, ndikimi në tarifa, nevojat reale të sistemit dhe krahasimi me alternativa si energjia e ripërtëritshme, bateritë, efiçienca dhe bashkëpunimi rajonal.
“Rruga e matur për Kosovën nuk është pranimi i verbër, por as refuzimi refleksiv. Rruga e matur është angazhimi serioz me partnerët, publikimi i analizave, krahasimi real me alternativat dhe kërkesa që një projekt që paraqitet si strategjik të ketë edhe mbështetje strategjike në financim, infrastrukturë, ulje të riskut dhe mbrojtje të konsumatorit”, përfundon Bujupi.



