Home / Lajme / Kosova / Komuniteti i Energjisë: LNG-ja për Kosovën duhet të vlerësohet në kuadër të tranzicionit energjetik

Komuniteti i Energjisë: LNG-ja për Kosovën duhet të vlerësohet në kuadër të tranzicionit energjetik

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka thënë se Kosova duhet të analizojë çdo investim të ri energjetik në përputhje me objektivat për sigurinë e furnizimit, dekarbonizimin dhe integrimin në tregjet rajonale të energjisë.

Në një kohë kur debati për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG) është intensifikuar, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka sqaruar se aktualisht nuk ekziston një projekt konkret për infrastrukturën e LNG-së në Kosovë, mbi të cilin mund të bëhet një vlerësim i plotë teknik dhe ekonomik.

“Kosova nuk ka treg kombëtar të gazit natyror dhe nuk ka qasje në gazsjellës ndërkombëtarë. Gjithashtu, deri më sot nuk ekziston asnjë propozim specifik, plan zbatimi apo projekt konkret lidhur me futjen e LNG-së në Kosovë, mbi të cilin mund të bazohet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimeve të mundshme”, ka deklaruar Sekretariati për Albanian Post.

Institucioni që monitoron zbatimin e rregullave evropiane në sektorin e energjisë ka theksuar se as legjislacioni i Bashkimit Evropian dhe as Traktati i Komunitetit të Energjisë nuk përcaktojnë se cilat burime energjetike duhet të zgjedhin vendet për përbërjen e miksit të tyre energjetik.

Sipas Sekretariatit, vendimet për projekte të reja duhet të lidhen me objektivat e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe reduktimin e emetimeve deri në vitin 2030.

“Kalimi drejt një peshe më të madhe të energjisë së ripërtëritshme kërkon më shumë fleksibilitet të sistemit sesa thjesht kapacitete të reja prodhuese”, ka theksuar ky institucion, përcjell Energy Monitor.

Në këtë kuadër, Komuniteti i Energjisë ka përmendur si prioritete investimet në bateri për ruajtjen e energjisë, menaxhimin e kërkesës, agregimin dhe integrimin më të madh të tregut rajonal të energjisë elektrike.

Sipas Sekretariatit, sistemi i baterive të magazinimit të energjisë që planifikohet në Kosovë mund të luajë rol të rëndësishëm në rritjen e fleksibilitetit të rrjetit dhe në integrimin e kapaciteteve të reja nga energjia diellore dhe e erës.

Sa i përket diversifikimit të furnizimit, Komuniteti i Energjisë e sheh si rrugë të rëndësishme zhvillimin e burimeve vendore të ripërtëritshme, forcimin e rrjetit, rritjen e fleksibilitetit dhe lidhjen më të madhe të Kosovës me tregun rajonal të energjisë.

Një integrim më i thellë në tregjet evropiane të energjisë, sipas këtij institucioni, do t’i mundësonte Kosovës të menaxhojë më mirë prodhimin dhe shkëmbimet ndërkufitare, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe duke ulur kostot gjatë tranzicionit drejt një sistemi më të pastër energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com