Korporata për Ruajtjen e Energjisë (Energy Storage Corporation – ESCorp) ka vazhduar plotësimin e strukturave drejtuese me emërimin e Fisnik Musait si anëtar të Bordit të Drejtorëve.
Lajmi është bërë i ditur nga Millennium Challenge Account (MCA) Kosovo, i cili thekson se Musai sjell rreth 15 vjet përvojë në sektorin e energjisë, kryesisht në Gjermani. Gjatë karrierës së tij ai ka mbajtur pozita drejtuese në Stadtwerke Fürstenfeldbruck GmbH, Bayernwerk Netz GmbH dhe E.ON Netz GmbH, ku ka punuar në planifikimin e rrjeteve elektrike, zhvillimin e rrjeteve inteligjente (smart grids) dhe sistemeve të tensionit të lartë.
Sipas MCA Kosovo, Musai ka shërbyer si drejtor i rrjeteve elektrike, udhëheqës i zgjidhjeve të tensionit të lartë dhe zhvillues i rrjeteve elektrike, ndërsa posedon edhe përvojë në menaxhimin e aseteve dhe planifikimin strategjik. Ai mban gjithashtu titullin Master në Administrim Biznesi (MBA), njofton Energy Monitor.
Emërimi i tij vjen vetëm pak ditë pasi Bujar Haxha u zgjodh kryesues i Bordit të ESCorp, duke kompletuar gradualisht organet drejtuese të ndërmarrjes së re publike.
ESCorp u themelua në qershor të këtij viti si ndërmarrje publike përgjegjëse për zhvillimin, ndërtimin dhe operimin e sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike në Kosovë. Krijimi i saj është pjesë e Programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), i financuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe synon të rrisë fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, shkruan Energy Monitor.
Projekti parashikon ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë (Battery Energy Storage Systems – BESS), të cilat do të ndihmojnë në balancimin e rrjetit elektroenergjetik, integrimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.



