Home / Lajme / Kosova / Kosova shiti mbi 83 milionë euro energji elektrike për dhjetë muaj, vetëm në tetor mbi 22 milionë euro

Kosova shiti mbi 83 milionë euro energji elektrike për dhjetë muaj, vetëm në tetor mbi 22 milionë euro

Ndonëse gjatë muajve të fundit Kosova është përballur me vështirësi në mbulimin e konsumit vendor me prodhimin e energjisë elektrike, por vendi ka regjistruar edhe eksporte të konsiderueshme të energjisë. 

Kosova ka regjistruar eksport të energjisë elektrike në vlerë prej mbi 83.7 milionë eurosh gjatë periudhës janar–tetor 2026, ndërsa vetëm në muajin tetor vlera e eksportit ka arritur në mbi 22.6 milionë euro, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të analizuara nga Kujdestari.info.

Të dhënat e dokumentit doganor tregojnë se Shqipëria ka qenë destinacioni kryesor i eksportit të energjisë elektrike nga Kosova gjatë kësaj periudhe, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Zvicra.

Sipas të dhënave të deklaruara në dokumentin e Doganës, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, vlera e përgjithshme e eksportit të energjisë elektrike ka arritur në 83,700,763.08 euro.

Nga kjo shumë, 59,526,241.49 euro janë regjistruar si eksporte drejt Shqipërisë, që përbëjnë rreth 71.1 për qind të vlerës së përgjithshme.

Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut, me 16,762,458.89 euro, Mali i Zi me 3,550,835.06 euro dhe Zvicra me 2,631,322.24 euro.

Eksporte të energjisë elektrike janë regjistruar edhe drejt Greqisë, në vlerë prej 560,448.53 eurosh, Serbisë me 508,949.19 euro, Danimarkës me 112,305.52 euro dhe Sllovenisë me 48,202.16 euro.

Vetëm gjatë tetorit 2026, eksporti i energjisë elektrike ka arritur në 22,654,869.83 euro. Nga kjo vlerë, rreth 21.65 milionë euro janë regjistruar si eksporte drejt Shqipërisë, duke e bërë atë destinacionin kryesor edhe për këtë muaj.

Krahasuar me shtatorin, kur vlera e eksportit ishte 15,562,450.76 euro, në tetor është regjistruar rritje prej rreth 45.6 për qind.

Të dhënat pasqyrojnë vlerën doganore të energjisë elektrike të eksportuar dhe shtetet e deklaruara si destinacione. Ato nuk përfaqësojnë fitimin neto nga shitja e energjisë elektrike dhe as bilancin e përgjithshëm të tregtisë së energjisë.

/Kujdestari.info

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com