Home / Lajme / Kosova / Kosova shpenzoi 1.33 miliardë euro për importin e rrymës që nga viti 2015, kërkesa u rrit për rreth 25%

Kosova shpenzoi 1.33 miliardë euro për importin e rrymës që nga viti 2015, kërkesa u rrit për rreth 25%

Kosova ka shpenzuar rreth 1.33 miliardë euro për importin e energjisë elektrike që nga viti 2015, ndërsa rritja e kërkesës dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar varësinë e vendit nga blerjet në tregjet e jashtme.

Të dhënat e publikuara nga Atlas Institute tregojnë se kërkesa për energji elektrike është rritur për rreth 25 për qind gjatë dhjetë vjetëve, duke arritur rekordin prej 6,944 gigavat-orësh (GWh) në vitin 2025.

Në të njëjtën kohë, prodhimi vendor ra në 5,298 GWh, niveli më i ulët i dekadës. Rreth 88 për qind e energjisë së prodhuar në vend vazhdon të sigurohet nga termocentralet me linjit, Kosova A dhe Kosova B, të cilat kanë njësi që janë në funksion prej disa dekadash, përcjell Energy Monitor.

Hendeku ndërmjet kërkesës dhe prodhimit vendor mbulohet përmes importit. Vetëm gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Atlas Institute, Kosova pagoi 259 milionë euro për energjinë e blerë nga jashtë.

Sipas raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), importi i realizuar gjatë vitit 2025 ishte rreth 1,965 GWh, apo 42 për qind më shumë se në vitin paraprak. Prodhimi vendor, ndërkaq, shënoi rënie prej 12.6 për qind.

Një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e faturës së importit është edhe çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare. Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga Atlas Institute, çmimi mesatar i importit, i cili gjatë periudhës 2015–2020 ishte rreth 55 euro për megavat-orë (MWh), ka arritur në 136 euro për MWh në vitin 2025.

Gjatë vitit 2022, në kulmin e krizës energjetike evropiane, çmimi mesatar i paraqitur në të dhënat e institutit kishte arritur në 260 euro për MWh.

Varësia nga importi ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti, vlera e energjisë elektrike të importuar arriti në rreth 205 milionë euro.

Situata është ndikuar edhe nga kufizimet në prodhimin vendor. Njësia B1 e Termocentralit Kosova B ka qenë në remont deri në dhjetor, duke shtuar nevojën për sigurimin e energjisë nga tregjet e jashtme.

Kosova njëkohësisht importon dhe eksporton energji elektrike. Sipas Atlas Institute, një pjesë e energjisë eksportohet gjatë orëve të natës, kur çmimet në treg janë më të ulëta, ndërsa importi nevojitet në periudhat kur kërkesa është më e lartë dhe prodhimi vendor nuk mjafton.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com