Grupi energjetik grek PPC ka zgjeruar aktivitetin e tij në Evropën Qendrore dhe Juglindore përmes hyrjes në tregun hungarez të energjisë së ripërtëritshme.
Përmes degës së saj PPC Renewables, kompania ka arritur marrëveshje me Greenvolt Group për përfshirjen në portofolin e saj të një parku fotovoltaik me kapacitet 57.5 MW në Hungarinë jugore. Marrëveshja përfshin gjithashtu të drejtën për blerjen e një sistemi të baterive për ruajtjen e energjisë (BESS) me kapacitet 49 MW, i cili aktualisht është në zhvillim pranë parkut diellor.
Parku fotovoltaik, i vendosur pranë fshatit Királyegyháza, ka hyrë në operim komercial në korrik 2024 dhe pritet të ketë jetëgjatësi mbi 30 vjet. Projekti siguron të ardhura afatgjata përmes një kontrate me çmim të garantuar për një periudhë 25-vjeçare.
Sistemi i baterive prej 49 MW, me kohë ruajtjeje prej katër orësh, synon të rrisë fleksibilitetin e rrjetit dhe të mbështesë integrimin e mëtejshëm të burimeve të energjisë së ripërtëritshme në sistemin energjetik, përcjell Energy Monitor.
Hyrja në Hungari është pjesë e strategjisë së re të zgjerimit të PPC Group për periudhën 2026–2030, e cila parasheh një program investimesh prej rreth 24 miliardë eurosh dhe synon pothuajse dyfishimin e kapacitetit të instaluar të grupit. Kompania synon zhvillimin e projekteve të reja në energji të ripërtëritshme dhe ruajtje të energjisë në tregjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, përfshirë edhe Poloninë dhe Sllovakinë.
PPC tashmë ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj në rajon, veçanërisht në Greqi dhe Rumani, ndërsa hyrja në Hungari paraqet hapin e parë të planit të ri për krijimin e një portofoli të integruar të energjisë së pastër nga Evropa Juglindore drejt tregjeve të Evropës Qendrore.



