Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri ka miratuar ndryshimin e rregullave të tregtimit në Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX), duke lejuar që çmimi në tregun e ditës para (day-ahead) të zbresë deri në -50 euro/MWh.
Vendimi erdhi pas kërkesës së operatorit ALPEX, i cili argumentoi se rritja e rasteve me çmime negative në tregjet evropiane dhe rajonale kërkon përshtatjen e mekanizmave të tregut edhe në Shqipëri. Sipas ERE-së, ndryshimi synon të rrisë fleksibilitetin e tregut dhe të harmonizojë funksionimin e ALPEX me praktikat e bursave të integruara evropiane të energjisë.
Çmimet negative shfaqen kryesisht në periudhat kur prodhimi i energjisë tejkalon kërkesën. Në këto raste, prodhuesit mund të ofrojnë energjinë me çmime shumë të ulëta ose edhe negative për të shmangur kostot më të larta të reduktimit të prodhimit, pasi energjia elektrike duhet të balancohet në kohë reale ndërmjet prodhimit dhe konsumit, përcjell Energy Monitor.
Sipas të dhënave të ALPEX, aktiviteti në bursën shqiptare është rritur ndjeshëm. Gjatë vitit 2025, volumi i energjisë së tregtuar u rrit me rreth 39% krahasuar me vitin paraprak, ndërsa vetëm në zonën shqiptare të ofertimit u tregtuan mbi 1 milion MWh energji elektrike.
Nga janari deri më 18 prill 2026, çmimi në tregun e ditës arriti 13 herë kufirin minimal prej 0 euro/MWh, ndërsa pjesëmarrësit nuk ndryshuan ofertat edhe pas ankandeve të dyta, duke nxitur nevojën për një kufi të ri negativ.
Çmimet negative në bursë, por jo domosdoshmërisht në faturat e qytetarëve
Megjithatë, vendimi i ERE-së ngre një pyetje tjetër: a do të reflektohen këto ulje të çmimeve në faturat e konsumatorëve familjarë dhe bizneseve?
Në tregjet e liberalizuara, çmimet negative në bursë mund të krijojnë përfitime për furnizuesit ose konsumatorët që blejnë energji në tregun e lirë. Por për konsumatorët që furnizohen me tarifa të rregulluara, ndikimi varet nga mënyra se si përcaktohen tarifat dhe kostot e furnizimit.
Shqipëria ka një pozitë të veçantë për shkak të rolit dominues të hidrocentraleve në prodhimin vendas të energjisë. Megjithatë, përkthimi i avantazhit të burimeve vendore në çmime më të ulëta për konsumatorët ka qenë prej vitesh një nga sfidat kryesore të sektorit energjetik, transmeton Energy Monitor.
Institucionet energjetike kanë argumentuar vazhdimisht se tarifat për konsumatorët reflektojnë jo vetëm çmimin e prodhimit, por edhe kostot e transmetimit, shpërndarjes, furnizimit dhe funksionimit të sistemit energjetik.
Ndërkohë, me futjen e mundësisë për çmime negative në ALPEX, tregu shqiptar fiton një instrument të ri për menaxhimin e tepricave të energjisë. Sfida mbetet nëse ky mekanizëm do të sjellë përfitime konkrete edhe për konsumatorin fundor.



