Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria hap rrugën për agri-fotovoltaikën dhe parqet eolike në tokat bujqësore

Shqipëria hap rrugën për agri-fotovoltaikën dhe parqet eolike në tokat bujqësore

Shqipëria ka krijuar një bazë të re ligjore për kombinimin e prodhimit bujqësor me energjinë e pastër, pasi Presidenti i Republikës dekretoi ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”.

Ligji i ri nr. 69/2026 sjell ndryshime në kuadrin rregullator për përdorimin e teknologjive moderne në bujqësi, duke përcaktuar për herë të parë në legjislacion konceptet e aeroponisë, akuaponisë dhe hidroponisë, por edhe duke rregulluar përdorimin e tokave bujqësore për projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me agri-fotovoltaikën, një model që kombinon instalimin e paneleve diellore me kultivimin bujqësor në të njëjtën sipërfaqe toke. Përmes kësaj qasjeje synohet që toka të përdoret në mënyrë më efikase, duke mundësuar njëkohësisht prodhimin e ushqimit dhe të energjisë elektrike, njofton Energy Monitor.

Ligji gjithashtu krijon mundësi për zhvillimin e parqeve eolike në toka bujqësore me bonitet deri në klasën 8, duke përcaktuar se kriteret teknike dhe procedurat do të detajohen më tej përmes akteve nënligjore të Qeverisë.

Energji e ripërtëritshme me përfitime për bujqësinë

Një element i ri i parashikuar në ligj është edhe krijimi i një tarife të veçantë për subjektet që prodhojnë dhe tregtojnë energji nga impiantet agri-fotovoltaike dhe parqet e energjisë së erës në toka bujqësore.

Sipas ndryshimeve ligjore, kjo tarifë do të transferohet në programet për bujqësinë dhe zhvillimin rural, me qëllim mbështetjen e sektorit bujqësor.

Ekspertët e energjisë dhe bujqësisë e konsiderojnë agri-fotovoltaikën si një nga format në rritje në Evropë, pasi ajo mund të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të energjisë diellore duke ruajtur përdorimin bujqësor të tokës, përcjell Energy Monitor.

Zbatimi i plotë i këtij kuadri do të varet nga aktet nënligjore që pritet të miratohen nga Këshilli i Ministrave brenda gjashtë muajve, të cilat do të përcaktojnë kriteret teknike dhe procedurat për zhvillimin e këtyre projekteve.

Me këto ndryshime, Shqipëria synon të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes tranzicionit energjetik dhe zhvillimit rural, duke hapur mundësi të reja për investime në energjinë diellore dhe të erës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com