Home / Lajme / Kosova / Njësitë po operojnë sipas planit të energjisë 2026: A3 rikthehet pas ndalimit teknik, A5 në revizion, B1 në modernizim

Njësitë po operojnë sipas planit të energjisë 2026: A3 rikthehet pas ndalimit teknik, A5 në revizion, B1 në modernizim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar pas raportimeve dhe deklarimeve publike për gjendjen e disa njësive prodhuese, duke sqaruar se aktualisht po operon në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) 2026.

Sipas KEK-ut, në operim janë njësitë A3 dhe A4 të Termocentralit “Kosova A”, si dhe njësia B2 e Termocentralit “Kosova B”.

Reagimi i KEK-ut vjen pas deklarimeve të disa deputetëve opozitarë, të cilët ngritën shqetësime për rënien e prodhimit vendor dhe daljen nga puna të disa njësive në një periudhë kur kërkesa për energji rritet për shkak të sezonit veror, përcjell Energy Monitor.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, kishte deklaruar se njësitë B1, A3 dhe A5 nuk ishin në prodhim, duke kritikuar menaxhimin e kapaciteteve prodhuese.

Ndërkohë, KEK ka sqaruar se njësia A3 ishte ndalur përkohësisht për shkak të rrjedhjeve të identifikuara në kaldajë, por pas përfundimit të punimeve teknike është rikthyer në operim dhe aktualisht është stabile.

Njësia A5 në revizion, B1 pjesë e modernizimit të madh

Sa i përket njësisë A5 të TC “Kosova A”, KEK ka bërë të ditur se ajo ndodhet në revizion të planifikuar për periudhën 1–10 gusht 2026, në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike, njofton Energy Monitor.

Ndërsa për njësinë B1 të TC “Kosova B”, KEK ka theksuar se ajo nuk duhet të konsiderohet thjesht si një kapacitet “jashtë prodhimit”, pasi që nga muaji prill i është nënshtruar projektit më të madh të modernizimit në historinë e saj.

Ky projekt përfshin rehabilitimin e njësisë, ndërtimin e elektrofiltrave të rinj dhe instalimin e sistemit DeNOx, me përfundim të planifikuar në gjysmën e parë të dhjetorit 2026.

Sipas KEK-ut, paraqitja e njësisë B1 vetëm si mungesë e prodhimit krijon një perceptim jo të plotë për gjendjen reale të kapaciteteve, pasi ndalimi lidhet me një investim strategjik për rritjen e performancës dhe përmbushjen e standardeve mjedisore.

Debati për sigurinë energjetike

Çështja e disponueshmërisë së kapaciteteve prodhuese ka rikthyer debatin për sigurinë energjetike të Kosovës, veçanërisht gjatë periudhave kur kërkesa për energji rritet.

Ndërsa opozita ka kritikuar menaxhimin dhe planifikimin e mirëmbajtjes së njësive, KEK argumenton se një pjesë e ndërprerjeve janë pjesë e planeve të mirëmbajtjes dhe projekteve të modernizimit të kapaciteteve ekzistuese, njofton Energy Monitor.

Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” mbeten burimi kryesor i prodhimit vendor të energjisë elektrike, ndërsa disponueshmëria e tyre është një faktor kyç për reduktimin e varësisë nga importet.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com