Home / Lajme / Ndërkombëtare / Marrëveshje mes gjigantëve të energjisë, Shell i shet TotalEnergies asetet evropiane

Marrëveshje mes gjigantëve të energjisë, Shell i shet TotalEnergies asetet evropiane

Marrëveshja përfshin asete të energjisë diellore dhe të erës në katër vende evropiane.

Gjiganti britanik i naftës dhe gazit Shell ka arritur një marrëveshje për shitjen e biznesit të tij të energjisë së rinovueshme tokësore në Evropë te TotalEnergies, ndërsa kompania vijon strategjinë për t’u përqendruar te aktivitetet tradicionale të naftës, gazit dhe tregtimit të energjisë.

Në një njoftim të përbashkët, kompanitë bënë të ditur se marrëveshja përfshin asete në Itali, Holandë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pa zbuluar vlerën financiare të transaksionit.

Që prej marrjes së detyrës si drejtor ekzekutiv tre vjet më parë, Wael Sawan ka orientuar strategjinë e Shell drejt projekteve të naftës dhe gazit, me synimin për të siguruar kthime më të larta financiare.

Javën e kaluar, Shell raportoi se fitimi i tremujorit të dytë u më shumë se dyfishua krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur nivelin e dytë më të lartë në historinë e kompanisë.

Rezultati u mbështet nga rritja e çmimeve të energjisë dhe performanca e fortë në tregtimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Marrëveshja me TotalEnergies, e cila pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, përfshin një portofol me rreth 500 megavat kapacitet të energjisë diellore dhe të erës, në funksion ose në ndërtim, kryesisht në Itali dhe Holandë.

Ajo përfshin gjithashtu një portofol projektesh në zhvillim me kapacitet 3,5 gigavat, që përfshin energjinë diellore, atë të erës dhe sistemet e magazinimit me bateri në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë.

/albanianpost.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com