Centrali i vetëm bërthamor i Sllovenisë, Krshko, ka paralajmëruar se mund të detyrohet të ulë prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa në skenarin më të keq edhe të ndalojë gradualisht reaktorin, për shkak të nivelit rekord të ulët të lumit Sava, i cili përdoret për ftohjen e centralit.
Operatori NEK (Nuklearna Elektrarna Krško) bëri të ditur se centrali aktualisht vazhdon të funksionojë me kapacitet të plotë, por kushtet hidrologjike po bëhen gjithnjë e më sfiduese. Për të respektuar kufijtë mjedisorë për temperaturën e ujit, centrali aktivizon kullat e ftohjes, gjë që rrit konsumin e brendshëm të energjisë dhe ul efikasitetin e prodhimit. Nëse kushtet përkeqësohen më tej, prodhimi do të duhet të reduktohet dhe, në rast ekstrem, reaktori mund të ndalet gradualisht.
Centrali Krshko ndodhet pranë kufirit me Kroacinë dhe operon me një reaktor me fuqi bruto prej 730 MW, duke prodhuar rreth 5,700 GWh energji elektrike në vit. Ai mbulon afërsisht 20% të kërkesës për energji elektrike në Slloveni dhe rreth 16% të konsumit në Kroaci, njofton Energy Monitor.
Sipas rregullave mjedisore, temperatura mesatare ditore e lumit Sava pas përzierjes së plotë të ujit nuk duhet të kalojë 28°C, ndërsa centrali nuk lejohet ta rrisë temperaturën e lumit me më shumë se 3°C.
Situata në Krško është pjesë e një krize më të gjerë energjetike në rajonin e Danubit, ku thatësira dhe nivelet rekord të ulëta të lumenjve po ndikojnë në funksionimin e centraleve bërthamore, hidrocentraleve dhe termocentraleve, duke rritur varësinë e vendeve të Evropës Juglindore nga importi i energjisë elektrike.



