Home / Lajme / Mjedisi / Nisin punimet për çmontimin e dy hidrocentraleve të vogla në Malet e Sharrit

Nisin punimet për çmontimin e dy hidrocentraleve të vogla në Malet e Sharrit

Ka nisur çmontimi dhe largimi i pajisjeve të dy hidrocentraleve të vogla, Pena 84 dhe Pena 85, në luginën e Leshnicës, brenda Parkut Kombëtar të Malit Sharr në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Balkan Green Energy News, administrata e parkut ka njoftuar se aktualisht po zhvillohet një operacion për çmontimin dhe largimin e tubacioneve të hidrocentraleve. Procesi është rezultat i një angazhimi disa-vjeçar të institucioneve për mbrojtjen e luginës dhe ekosistemit të lumit Pena.

Plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar të Malit Sharr ndalon ndërtimin e hidrocentraleve të reja në zonat e mbrojtura, pasi ato konsiderohen ndër kërcënimet kryesore për vlerat natyrore dhe ekosistemet lumore, përcjell Energy Monitor.

Lugina e Leshnicës është një zonë me vlera të veçanta natyrore, pjesë e rrjetit Emerald dhe e parashikuar për t’u përfshirë në rrjetin Natura 2000. Për këtë arsye, administrata e parkut ka kërkuar që lumi Pena të rikthehet në gjendjen e tij natyrore.

Procesi përfshin heqjen e plotë të tubacioneve, largimin e tyre jashtë territorit të parkut, si dhe çmontimin e strukturave të betonit dhe restaurimin gradual të ekosistemit të lumit.

Administrata e parkut thotë se puna ende nuk ka përfunduar, pasi mbetet edhe heqja e tubacionit të fundit. Pas përfundimit të punimeve, synimi është që lugina e Leshnicës të rikthehet në gjendjen e saj natyrore.

Rasti i Malit Sharr rikthen në vëmendje debatin për ndikimin e hidrocentraleve të vogla në lumenjtë dhe zonat e mbrojtura, veçanërisht në rajonin e Ballkanit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com