Home / Lajme / Rajoni / Termocentralet që mbajnë në këmbë energjetikën e Maqedonisë së Veriut- kush i ndërtoi, sa prodhojnë dhe sa varet vendi nga importi

Termocentralet që mbajnë në këmbë energjetikën e Maqedonisë së Veriut- kush i ndërtoi, sa prodhojnë dhe sa varet vendi nga importi

Maqedonia e Veriut, ngjashëm me Kosovën, për dekada e ka mbështetur një pjesë të madhe të sistemit të saj elektroenergjetik në termocentralet me linjit. Por, ndryshe nga Kosova, ku dy termocentralet kryesore janë Kosova A dhe Kosova B, sistemi maqedonas mbështetet kryesisht në dy komplekse: REK Bitola, pranë Manastirit, dhe REK Oslomej, pranë Kërçovës, shkruan Kujdestari.info.

Të dyja janë sot nën menaxhimin e kompanisë shtetërore AD ESM – Elektrani na Severna Makedonija, ndërmarrja më e madhe prodhuese e energjisë elektrike në vend.

Dokumentet e ESM-së tregojnë se termocentralet e kompanisë kanë kapacitet të instaluar prej 824 MW. Pjesën dërrmuese të këtij kapaciteti e përbën REK Bitola, ndërsa Oslomej është dukshëm më i vogël.

Tre blloqet e Bitolës u ndërtuan në vitet 80-ta

REK Bitola është ekuivalenti maqedonas i kompleksit kryesor termoenergjetik të Kosovës. Centrali ndodhet në Novaci, afër Manastirit, dhe përbëhet nga tre blloqe prodhuese.

Blloku i parë hyri në punë në 1982, i dyti në 1984, ndërsa blloku i tretë në 1988. Pas modernizimeve, secili prej tyre ka fuqi prej rreth 233 MW, duke e çuar kapacitetin e përgjithshëm të kompleksit në afërsisht 700 MW.

Iinteresant është origjina e teknologjisë. Të dhënat teknike të publikuara nga vetë ESM tregojnë se pajisjet kryesore të REK Bitola janë me origjinë nga ish-Bashkimi Sovjetik, konkretisht nga Rusia e sotme.

Kaldajat e avullit të tipit P-65 janë të prodhuesit ZIO-Podolsk, turbinat K-210-130-3 janë të LMZ, ndërsa gjeneratorët TBB-200-2A janë prodhim i Elektrosila. Pra, në aspektin e teknologjisë kryesore, REK Bitola është ndërtuar mbi teknologji sovjetike/ruse.

Kjo është një dallim interesant me Kosovën B, ku pajisjet dhe kompanitë perëndimore, veçanërisht gjermane, kanë pasur rol të rëndësishëm në ndërtimin e centralit.

Megjithatë, nga burimet zyrtare që kemi shqyrtuar nuk është e sigurt të thuhet se një kompani e vetme ruse e ka ndërtuar komplet REK Bitolën. Dokumentacioni i ESM-së identifikon prodhuesit rusë të kaldajave, turbinave dhe gjeneratorëve, por një projekt i këtij dimensioni përfshin projektim, ndërtim civil, montim dhe shumë kontraktorë. Për këtë arsye, formulimi më i saktë është se centrali është ngritur kryesisht me teknologji dhe pajisje sovjetike.

Modernizimi i rriti fuqinë blloqeve

Blloqet nuk kanë mbetur në konfigurimin e tyre fillestar. ESM thotë se gjatë një rikonstruktimi në vitin 1994, fuqia u rrit me rreth 15 MW për bllok.

Një modernizim tjetër i madh filloi në vitin 2010. Pas tij, fuqia e secilit agregat arriti në rreth 233 MW.

Kontrata për modernizimin e turbinave, gjeneratorëve dhe automatizimit ishte nënshkruar në dhjetor 2009 me kompaninë ruse Silovie Masini. Projekti u realizua ndërmjet viteve 2010 dhe 2012 dhe kishte vlerë rreth 56.83 milionë euro. Sipas planit investues të ESM-së, modernizimi synonte gjithashtu zgjatjen e jetës operative të njësive.

Sa rrymë mund të prodhojë Bitola?

Në dokumentacionin e ESM-së, kapaciteti historik mesatar i prodhimit të REK Bitola paraqitet rreth 1,200 GWh në vit për bllok, ose afërsisht 3,600–4,400 GWh në vit për kompleksin, varësisht nga periudha dhe disponueshmëria e njësive.

Por kapaciteti teorik apo mesatar historik nuk do të thotë se centrali e prodhon këtë sasi çdo vit.

Kjo shihet qartë në shifrat më të fundit të plota.

Në 2024, tre blloqet e REK Bitola prodhuan së bashku rreth 2,071 GWh energji elektrike. Blloku 1 prodhoi 597.8 GWh, Blloku 2 rreth 864.5 GWh dhe Blloku 3 rreth 608.7 GWh.

Pra, prodhimi real ishte dukshëm nën potencialin historik të kompleksit.

Oslomej – blloku i katërt termik

Termocentrali tjetër është REK Oslomej, pranë Kërçovës.

Ndryshe nga Bitola, Oslomej ka vetëm një bllok, me kapacitet të instaluar prej 125 MW. Ai është futur në funksion në 1980, pra është më i vjetër se të tre blloqet e Bitolës.

Centrali ishte projektuar të punonte me linjitin e nxjerrë nga miniera e Oslomejit. Sipas ESM-së, miniera kishte kapacitet të projektuar vjetor prej rreth 1.2 milion tonësh qymyr, ndërsa shfrytëzimi i saj nisi në vitin 1980.

Historikisht, ESM e ka paraqitur Oslomejin me prodhim mesatar potencial prej rreth 500 GWh në vit, por prodhimi real në vitet e fundit është shumë më i ulët.

Në vitin 2024, Oslomej prodhoi vetëm 180.8 GWh energji elektrike. Megjithatë, kjo ishte rreth 10.6 për qind më shumë se në vitin 2023.

Katër blloqe- por prodhimi real është shumë më i vogël se kapaciteti

Nëse merren së bashku Bitola dhe Oslomej, ESM ka katër blloqe kryesore me linjit:

Bitola 1 – 233 MW
Bitola 2 – 233 MW
Bitola 3 – 233 MW
Oslomej – 125 MW

Kapaciteti i tyre i përgjithshëm është rreth 824 MW.

Në vitin 2024, këto katër njësi prodhuan gjithsej 2,251.8 GWh energji elektrike. Prodhimi termik ishte 13.5 për qind më i ulët sesa në vitin 2023.

Vetëm një vit më parë, në 2023, REK Bitola kishte prodhuar 2,438.7 GWh dhe Oslomej 163.5 GWh, ose rreth 2,602 GWh së bashku.

Këto shifra tregojnë edhe problemin e centraleve të vjetra: fuqia e instaluar nuk është e njëjtë me energjinë që realisht mund të sigurohet gjatë gjithë vitit.

Sa energji elektrike i duhet Maqedonisë së Veriut?

Sipas raportit vjetor të Komisionit Rregullator për Energjetikë të Maqedonisë së Veriut, konsumi bruto i energjisë elektrike në vend gjatë 2024 ishte rreth 6,889 GWh, ose afro 6.9 TWh.

Kjo përfshin konsumin e përdoruesve dhe humbjet në sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes.

Nga kjo kërkesë, 88.97 për qind u mbulua nga prodhimi vendor, ndërsa 11.03 për qind nga importi neto.

Kjo do të thotë se, edhe pse termocentralet mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme, Maqedonia e Veriut nuk varet vetëm prej tyre.

Vendi ka hidrocentrale, centrale me gaz, parqe me erë dhe një sektor fotovoltaik që është zgjeruar me shpejtësi.

Në fund të vitit 2024, kapaciteti i përgjithshëm i instaluar për prodhimin e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut arriti në rreth 2,984 MW. Për herë të parë, burimet e ripërtëritshme përbënin shumicën e kapaciteteve të instaluara, me 55.72 për qind.

Rreth 6.1 TWh prodhim vendor

Të dhënat e rregullatorit tregojnë se në vitin 2024 prodhimi vendor që mbuloi konsumin ishte rreth 6,129 GWh, kundrejt konsumit prej 6,889 GWh.

Diferenca u mbulua përmes shkëmbimeve ndërkufitare.

Importi total i nominuar gjatë vitit ishte rreth 2,200 GWh, por kjo nuk do të thotë se e gjithë kjo energji u konsumua në Maqedoninë e Veriut. Një pjesë e energjisë së importuar është rieksportuar. Pikërisht për këtë arsye, treguesi më domethënës për varësinë energjetike është importi neto, i cili në 2024 ishte 11.03 për qind e konsumit bruto.

Kjo është një dallim i rëndësishëm kur flitet për shifrat e importit dhe eksportit: një vend mund të importojë dhe të eksportojë energji gjatë të njëjtit vit, madje edhe brenda së njëjtës ditë, varësisht nga prodhimi, konsumi dhe çmimet në tregun rajonal.

Nga 33 për qind import në vetëm 2.75 për qind – dhe sërish në 11 për qind

Varësia e Maqedonisë së Veriut nga importi ka ndryshuar ndjeshëm nga viti në vit.

Sipas rregullatorit, në 2021, importi neto mbulonte rreth 33.15 për qind të konsumit bruto. Në vitin 2022, kjo përqindje ra në 20.70 për qind, ndërsa në 2023 ra në vetëm 2.75 për qind.

Në 2024, varësia u rrit përsëri në 11.03 për qind.

Kjo tregon se siguria energjetike e vendit vazhdon të jetë shumë e lidhur me disponueshmërinë e termocentraleve, rezervat dhe furnizimin me qymyr, hidrologjinë dhe prodhimin nga burimet e tjera.

ESM nuk është vetëm Bitola dhe Oslomej

Edhe pse njihet kryesisht për termocentralet, ESM kontrollon një portofol shumë më të gjerë.

Kompania deklaron kapacitet hidroenergjetik prej rreth 556.8 MW, me prodhim mesatar historik rreth 1,200 GWh në vit. Në sistemin e saj është gjithashtu parku me erë Bogdanci, si dhe kapacitete fotovoltaike.

Një prej projekteve simbolike të tranzicionit është Oslomej 1, central fotovoltaik prej 10 MW i ndërtuar mbi zonën e një miniere të vjetër të qymyrit. Prodhimi i planifikuar i tij është rreth 15–17 GWh në vit, sasi që sipas ESM-së është e mjaftueshme për afërsisht 2,800 familje.

ESM ka planifikuar edhe kapacitete të tjera fotovoltaike në Oslomej dhe Bitola, duke përdorur tokën dhe infrastrukturën ekzistuese të komplekseve energjetike.

Si sigurohet linjiti për termocentralet e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut nuk mbështetet vetëm në import për furnizimin e termocentraleve me linjit, pasi vendi ka edhe miniera të veta sipërfaqësore. Burimi kryesor i qymyrit për REK Bitola janë minierat në pellgun e Pellagonisë, veçanërisht Suvodol dhe Brod-Gneotino.

Historikisht, prodhimi vendor ka qenë i konsiderueshëm: në vitin 2013, ESM nxori rreth 6.65 milionë tonë qymyr nga minierat e saj në Bitola dhe Oslomej. Vetëm funksionimi i tre blloqeve të REK Bitola kërkon sasi të mëdha linjiti- në periudhat e funksionimit me kapacitet të lartë nevojat janë llogaritur në rreth 6.5 milionë tonë në vit. Për transportimin e linjitit nga Brod-Gneotino drejt kompleksit të Suvodolit është ndërtuar edhe një sistem transportues rreth 10 kilometra i gjatë, me kapacitet deri në 3,800 tonë në orë.

Megjithatë, me zvogëlimin e rezervave dhe rënien e prodhimit në disa prej minierave, Maqedonia e Veriut është detyruar të përdorë edhe linjit të importuar për të mbajtur termocentralet në funksion.

Situata është veçanërisht e theksuar në REK Oslomej, ku shterimi i minierës së vjetër e ka rritur varësinë nga furnizimet e jashtme. Edhe REK Bitola ka përdorur linjit të importuar gjatë periudhave kur prodhimi vendor nuk ka qenë i mjaftueshëm.

Kështu, ndonëse Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë rezerva dhe prodhim të vetin të linjitit, sigurimi i sasive të nevojshme për termocentralet është bërë gjithnjë e më sfidues, ndërsa vendi paralelisht po orienton investimet drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë. /Kujdestari.info

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com