Home / Lajme / Kosova / Tahiri: Strategjia për energji ka qenë në dëm të Kosovës

Tahiri: Strategjia për energji ka qenë në dëm të Kosovës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar marrëveshjen për shitjen e qymyrit të Kosovës te Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar atë si të dëmshme për sigurinë energjetike dhe ekonominë e vendit.

Sipas Tahirit, rreth 3 milionë tonë qymyr, me vlerë prej rreth 73 milionë eurosh, do të mund të përdoreshin për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, në vend që të shiten jashtë vendit.

“Kontrata e Qeverisë së Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut rreth shitjes së thëngjillit të Kosovës jo vetëm që është e dëmshme në aspektin financiar, mirëpo edhe tregon në esencë mungesën e vizionit për qëndrueshmëri energjetike në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se kjo sasi qymyri do të mund të prodhonte rreth 800 mijë MWh energji elektrike, duke ngritur pyetjen nëse Kosova po humb një mundësi për të ulur nevojën për import të energjisë.

“Kosovës, kjo qeveri do t’i shesë rreth 73 milionë euro qymyr tek Maqedonia. Ajo sasi do të prodhonte 800 mijë megavat orë rrymë për Kosovën. A po e shihni ku kemi humbur?”, ka thënë ai.

Tahiri e ka lidhur marrëveshjen edhe me diskutimet për ndotjen e ajrit, duke thënë se energjia e prodhuar nga qymyri i Kosovës do të përdoret në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me nevojën për import të energjisë.

“I gjithë veprimi, mirëpo edhe strategjia për energji ka qenë në dëm të Kosovës dhe ky dëm nuk është veç afatshkurtër, është afatgjatë për qëndrueshmërinë energjetike dhe ekonomike të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com