Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në Zyrën e Kryeministrit është diskutuar themelimi i një instituti kërkimor për energjinë, i cili do të shërbejë si një qendër për hulumtim, ekspertizë dhe zhvillimin e kapaciteteve vendore në sektorin energjetik.
Sipas Kurtit, Kosova në vitet e ardhshme do të përballet me vendime të rëndësishme për projektet e reja energjetike, kostot e tyre dhe mënyrën e financimit. Për këtë arsye, ai vlerëson se nevojiten më shumë hulumtime, analiza dhe burime njerëzore me ekspertizë në këtë fushë.
“Ky sektor tashmë është shndërruar në sfidë globale dhe vitet përpara do të na sjellin një varg vendimesh të mëdha në këtë fushë, nga projektet që duhet e do t’i ndërtojmë, te kostot e tyre dhe mënyra e financimit”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se Kosova deri tani është mbështetur në ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë dhe në angazhimin e ekspertëve vendorë e të huaj në projekte të ndryshme. Sipas tij, një nga nevojat kryesore tani është krijimi i vazhdimësisë institucionale, në mënyrë që përvoja dhe njohuritë e krijuara gjatë projekteve të mos humbasin, përcjell Energy Monitor.
Instituti, sipas Kurtit, do të mund të angazhonte inxhinierë dhe hulumtues nga Kosova, por edhe profesionistë nga diaspora, përfshirë ata që jetojnë në Gjermani, Zvicër dhe Austri.
Si lokacion i mundshëm është propozuar Prizreni, konkretisht Parku për Inovacion dhe Trajnim. Kurti tha se qyteti ka studentë, hapësirë dhe infrastrukturë që tashmë është në funksion.
Në diskutimin për konceptin e institutit kanë marrë pjesë profesorë, hulumtues, përfaqësues të industrisë dhe partnerë ndërkombëtarë. Kurti falënderoi ministritë përkatëse dhe partnerët gjermanë për punën e bërë deri në këtë fazë.
Themelimi i një institucioni të tillë do të mund të krijonte një bazë më të qëndrueshme për analizimin e politikave energjetike, teknologjive të reja, projekteve të mëdha dhe kostove të investimeve, në një kohë kur Kosova po përgatitet për ndryshime të rëndësishme në sistemin energjetik.



