Home / Lajme / Kosova / KEK shiti rreth 95% të tepricave të energjisë në bursën ALPEX gjatë korrikut dhe gushtit

KEK shiti rreth 95% të tepricave të energjisë në bursën ALPEX gjatë korrikut dhe gushtit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shitur pjesën dërrmuese të tepricave të energjisë elektrike përmes bursës ALPEX gjatë muajve korrik dhe gusht, me rreth 94.4% të totalit të energjisë së shitur në këta dy muaj.

Sipas të dhënave të analizuara nga Buletini Ekonomik, KEK-u shiti gjithsej 95,908 MWh energji elektrike nga tepricat gjatë korrikut dhe gushtit.

Prej tyre, 90,526 MWh, ose 94.4%, u shitën përmes bursës ALPEX, ndërsa vetëm 5,382 MWh, ose 5.6%, u realizuan përmes procedurave të ankandeve me tregtarët e energjisë.

Në total, shitjet e tepricave gjatë këtyre dy muajve gjeneruan rreth 10.21 milionë euro të hyra. Në korrik u realizuan rreth 5.09 milionë euro, ndërsa në gusht rreth 5.12 milionë euro, edhe pse sasia e energjisë së shitur në gusht ishte më e ulët.

ALPEX dominon shitjet e tepricave

Të dhënat e korrikut dhe gushtit tregojnë një peshë shumë më të madhe të ALPEX-it në shitjen e tepricave të KEK-ut krahasuar me vitet paraprake.

Në vitin 2024, rreth 35% e tepricave të KEK-ut ishin shitur përmes ALPEX-it, ndërsa në vitin 2025 kjo përqindje ishte rritur në rreth 50%.

Në dy muajt e verës së këtij viti, megjithatë, pjesëmarrja e bursës ishte shumë më e lartë, duke arritur në rreth 94% të energjisë së shitur.

Kjo e vendos ALPEX-in si kanalin kryesor për shitjen e tepricave të KEK-ut gjatë kësaj periudhe.

Çmimi në ALPEX

Përveç pjesës së lartë të energjisë së shitur përmes bursës, të dhënat tregojnë edhe dallime në çmimet e realizuara.

Sipas analizës së Buletinit Ekonomik, çmimi mesatar i ponderuar për energjinë e KEK-ut të shitur në ALPEX gjatë korrikut dhe gushtit ishte 106.5 euro për MWh.

Në korrik, çmimi mesatar ishte 96.1 euro/MWh, ndërsa në gusht u rrit në 127 euro/MWh.

Në të njëjtën periudhë, energjia e shitur përmes procedurave të ankandeve ishte ofruar me çmime që, sipas analizës, lëviznin kryesisht ndërmjet 70 dhe 90 euro/MWh.

Një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e tregtimit

KEK-u është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në Kosovë dhe pjesën më të madhe të prodhimit ia shet KESCO-s për mbulimin e konsumit vendor. Kur prodhimi tejkalon kërkesën, energjia e tepërt mund të shitet në treg.

ALPEX ofron një mekanizëm të organizuar për tregtimin e energjisë, ndërsa ankandet me tregtarë përbëjnë një tjetër kanal të shitjes.

Përmes bursës, çmimi formohet në një mekanizëm të centralizuar të tregut dhe transaksionet kryhen në bazë të ofertave të pjesëmarrësve.

Shitjet e korrikut dhe gushtit vijnë pas një periudhe kur mënyra e tregtimit të tepricave të KEK-ut ishte bërë objekt i kritikave dhe hulumtimeve.

Në korrik, një hulumtim i Buletinit Ekonomik, i cili analizoi rreth 400 ankande dhe dokumente të brendshme të KEK-ut për periudhën 2024–2025, ngriti dyshime për përqendrim të lartë të ankandeve te dy kompani dhe për shmangie të ALPEX-it.

Një javë pas publikimit të hulumtimit, KEK kishte njoftuar suspendimin e dy zyrtarëve të Divizionit të Tregtimit me Energji Elektrike dhe referimin e rastit te organet përkatëse të drejtësisë.

Megjithatë, të dhënat e korrikut dhe gushtit tregojnë një fakt të matshëm: pothuajse e gjithë energjia e tepërt e shitur nga KEK-u gjatë këtyre dy muajve kaloi përmes ALPEX-it.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com