Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur një vizitë dyditore në Groenlandë, në një moment kur territori autonom danez është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të presionit të Presidentit amerikan Donald Trump.
Von der Leyen mbërriti në Nuuk të dielën, ku u prit nga kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, dhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen. Vizita synon të shprehë mbështetjen e BE-së për Groenlandën dhe Danimarkën, ndërsa Brukseli po përgatit një paketë të re investimesh dhe lidhje më të ngushta politike me territorin.
Paketa e BE-së pritet të përfshijë qindra miliona euro për sektorë strategjikë, mes tyre mineralet kritike, komunikimet satelitore dhe energjinë e ripërtëritshme. Von der Leyen e ka cilësuar paketën si “të konsiderueshme”, pa dhënë ende shifrat përfundimtare.
Groenlanda, e cila ka autonomi të gjerë dhe është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, u largua nga Bashkimi Evropian në vitin 1985. Megjithatë, rreth 57 mijë banorët e saj kanë shtetësi daneze dhe, për rrjedhojë, edhe shtetësi të BE-së.
Rëndësia e Groenlandës është rritur ndjeshëm për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe pasurive natyrore. Shkrirja e akullit detar po hap rrugë të reja transporti dhe po lehtëson aksesin në burimet minerale të Arktikut, duke shtuar interesin e SHBA-së, Rusisë, Kinës dhe vendeve europiane.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja ka nevojë për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare. Ai ka argumentuar se ishulli duhet të luajë një rol më të madh në mbrojtjen e interesave amerikane në Arktik dhe ka vënë në pikëpyetje aftësinë e Danimarkës për ta mbrojtur atë nga ndikimi kinez dhe rus.
Këto deklarata kanë tensionuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleatëve europianë, ndërsa si qeveria e Groenlandës, ashtu edhe ajo daneze, kanë kundërshtuar kërkesat për një rol më të madh amerikan mbi territorin. Në këtë klimë, vizita e Von der Leyen shihet si një sinjal i qartë i angazhimit europian ndaj Groenlandës dhe rritjes së rolit të BE-së në Arktik.



