Nismës së mbështetur nga GIZ për ndarjen e mbeturinave po i bashkohen çdo ditë më shumë banorë të Junikut. Këtë herë, banorët e lagjes “7 Shtatori” kanë marrë kosha të verdhë për mbeturinat e riciklueshme, së bashku me udhëzime për mënyrën e duhur të ndarjes dhe grumbullimit të tyre.
Nisma mbështetet nga Qeveria Gjermane përmes GIZ-it dhe po zbatohet në bashkëpunim me Komunën e Junikut. Sistemi i ndarjes së mbeturinave është vendosur më herët edhe në lagjen “Agim Ramadani”.
Me zgjerimin në “7 Shtatori”, më shumë familje po përfshihen në sistemin ku mbeturinat e riciklueshme ndahen që në shtëpi nga mbeturinat e tjera. Qëllimi është që më shumë materiale të riciklueshme të rikuperohen dhe të reduktohet sasia e mbeturinave që përfundon në deponi, përcjell Energy Monitor.
Nisma është pjesë e zbatimit në nivel lokal të objektivave të Planit të Integruar Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave për Zonën 3, ku bën pjesë Juniku, si dhe të Strategjisë së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave.
Zgjerimi i sistemit synon gjithashtu të krijojë zakone më të qëndrueshme te familjet dhe të përmirësojë mënyrën e menaxhimit të mbeturinave në komunë.
Junik po e zgjeron kështu gradualisht sistemin nga një lagje në tjetrën, me synim që ndarja e mbeturinave të bëhet pjesë e praktikës së përditshme të familjeve.



