Home / Lajme / Mjedisi / Gushti i 2026-s, më i nxehti i regjistruar ndonjëherë

Gushti i 2026-s, më i nxehti i regjistruar ndonjëherë

Gushti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, i barabartë me korrikun e vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara të enjten (10.09.2026) nga observatori europian i klimës “Koperniku”, raporton Euronews.

Muajin e kaluar, temperatura mesatare globale e ajrit arriti në 16.96°C, që është 1.65°C më e lartë se periudha e referencës para-industriale e viteve 1850-1900. Gushti ishte muaji i parë që nga nëntori i vitit 2025 që tejkaloi 1.5°C, limitin e përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike.

Oqeanet ekstrapolare gjithashtu thyen rekordin për temperaturën e tyre mesatare muajin e kaluar, për shkak të ngrohjes globale, thekson “Koperniku”. Temperatura mesatare arriti në 21.07°C, më e larta e regjistruar ndonjëherë për gusht, duke tejkaluar rekordin e vendosur në vitin 2023.

“Gushti i vitit 2026 ishte një muaj i jashtëzakonshëm në regjistrin global të klimës. Ishte njëkohësisht gushti më i ngrohtë dhe muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë”, deklaroi Samantha Burgess, udhëheqëse strategjike për klimën në ECMWF (Qendra Europiane për Parashikime të Motit Afatmesëm).

“Këto vëzhgime tregojnë se si ndryshimi i klimës po nxit ekstreme si në atmosferë ashtu edhe në oqeane. Ndikimet e këtyre kushteve po ndihen gjithnjë e më shumë nga komunitetet, ekonomitë dhe ekosistemet në të gjithë botën”, shtoi ajo.

Vera më e nxehtë ndonjëherë në Europën Perëndimore

Për kontinentin europian konkretisht, këto shifra shënojnë fundin e verës më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore, me valë të nxehta të zgjatura, intensive dhe të hershme që fillojnë që në maj. Për rajonin, vera e vitit 2026 theu rekordin e vendosur gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2003.

Në gusht të këtij viti, temperatura mesatare arriti në 20.26°C mbi kontinentin europian, duke e bërë muajin e kaluar gushtin e katërt më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, sipas “Kopernikut”.

Kontinenti vuajti gjithashtu nga thatësia e përhapur, me nivele jashtëzakonisht të ulëta uji në lumenj të tillë si Rini, Danubi, Vistula, Rone dhe Po. Kushtet më të thata se nxitën çuan gjithashtu zjarre të shumta në disa rajone në krejt Europën.

“Provat janë të pakundërshtueshme: ky është çmimi në rritje i varësisë së njerëzimit nga lëndët djegëse fosile dhe krizës globale klimatike që ajo po nxit”, deklaroi Simon Stiell, sekretari ekzekutiv i OKB-së për Ndryshimet Klimatike.

“Derisa njerëzimi të ndalë djegien e sasive kolosale të qymyrit, naftës dhe gazit, ndotja që kjo shkakton do të vazhdojë të djegë planetin tonë dhe nxehtësia ekstreme do të vazhdojë të thyejë rekordet e të gjitha kohërave”, shtoi Stiell.

Për të, zgjidhja për të parandaluar vendosjen e rekordeve të reja të temperaturës është e qartë: “Kalimi më i shpejtë në energji të pastër”.

/Kallxo.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com