Shqipëria është prodhuesja më e madhe e naftës bruto në Ballkanin Perëndimor, por vazhdon të mbështetet në importet për furnizimin me benzinë, naftë diesel dhe karburant avionësh.
Në një kohë kur Shqiperia ende nuk ka një sistem rezervash strategjike të naftës në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, qeveria e ketij vendi ka vendosur të ndryshojë mënyrën e administrimit të rezervës së sigurisë së hidrokarbureve.
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin që parashikon kalimin e përgjegjësisë për mbajtjen dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë nga operatorët privatë te një subjekt shtetëror. Sipas ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ndryshimi synon të krijojë një sistem të ri kombëtar për administrimin e rezervave dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me kërkesat e BE-së.
Nga prodhues nafte bruto në importues të karburanteve
Në vitin 2024, Shqipëria prodhoi rreth 621 mijë tonë naftë bruto, ekuivalente me rreth 12,500 fuçi në ditë. Megjithatë, kapacitetet e kufizuara të rafinimit bëjnë që pjesa më e madhe e naftës së nxjerrë në vend të eksportohet, ndërsa kërkesa e brendshme për produktet e rafinuara mbulohet kryesisht përmes importeve.
Kjo krijon një varësi të veçantë në zinxhirin e furnizimit: Shqipëria disponon burime të naftës bruto, por për karburantet që përdoren nga transporti dhe ekonomia duhet të mbështetet në tregjet ndërkombëtare.
Pikërisht kjo varësi e bën sigurinë e furnizimit me produkte të naftës një çështje të rëndësishme për sistemin energjetik të vendit.
Rezerva e sigurisë kalon te shteti
Projektligji i miratuar nga qeveria parashikon krijimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve, i cili do të jetë përgjegjës për ruajtjen dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë.
Autoriteti do të ketë gjithashtu përgjegjësinë për ta nxjerrë rezervën në treg në rast të mungesave të hidrokarbureve, sipas nevojave dhe procedurave të përcaktuara me ligj. Qeveria e paraqet ndryshimin si një kalim nga modeli aktual, ku rezervat mbahen nga operatorët privatë, drejt një sistemi të administruar nga shteti.
Rezerva e sigurisë shërben si mekanizëm për garantimin e furnizimit në rast të ndërprerjeve ose mungesave në treg. Sasia e rezervuar mund të përdoret në situata emergjente dhe të hidhet në treg sipas rregullave të përcaktuara.
Shqipëria ende nuk përmbush standardin evropian
Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria nuk e ka përfunduar harmonizimin me direktivën e BE-së për rezervat e naftës dhe nuk disponon ende një sistem strategjik rezervash në përputhje me këtë kuadër.
Standardi evropian kërkon që shtetet të mbajnë rezerva emergjence të barasvlershme me të paktën 90 ditë importe neto mesatare ditore ose 61 ditë konsum të brendshëm, duke u marrë si referencë vlera më e lartë. Shtetet duhet gjithashtu të raportojnë periodikisht nivelin e rezervave dhe të kenë procedura funksionale për reagimin ndaj krizave të furnizimit.
Në Shqipëri ekzistojnë rezerva të mbajtura nga operatorët privatë, por ato nuk janë të njëjta me një sistem shtetëror të rezervave strategjike. Në mars të këtij viti, qeveria deklaroi se kompanitë e tregtimit të karburanteve kishin fizikisht rezerva për rreth 30 ditë, ndërsa kontratat e furnizimit konsideroheshin të mjaftueshme për një periudhë rreth 100-ditore.
Edhe Komuniteti i Energjisë e ka vlerësuar më herët nivelin e përputhshmërisë së Shqipërisë në fushën e sigurisë së furnizimit me naftë në vetëm 23%, duke vënë në dukje mungesën e të dhënave të plota për rezervat emergjente dhe tregtare.
Po ndërtohet edhe kapaciteti i magazinimit
Krahas ndryshimit të mënyrës së administrimit të rezervave, qeveria ka nisur edhe procesin për krijimin e kapaciteteve kombëtare të magazinimit të produkteve të naftës dhe gazit.
Në qershor 2026, Shqipëria nënshkroi një memorandum me kompaninë italiane Eni për një studim fizibiliteti mbi kapacitetet kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të produkteve të naftës dhe gazit. Sipas qeverisë, projekti lidhet me synimin për krijimin e rezervës strategjike dhe forcimin e sigurisë së furnizimit energjetik.
Nevoja për një sistem të tillë është bërë më e dukshme nga luhatjet e tregjeve ndërkombëtare të energjisë. Komisioni Evropian ka paralajmëruar për ndikimin e pasigurive gjeopolitike në çmimet e produkteve të naftës, veçanërisht dieselit dhe karburantit të avionëve.
Kalimi i rezervës së sigurisë nën administrimin shtetëror, së bashku me krijimin e kapaciteteve kombëtare të magazinimit, synon të krijojë një mekanizëm më të centralizuar për reagimin ndaj krizave të furnizimit, ndërsa Shqipëria vijon procesin e përafrimit të sistemit të saj me kërkesat e BE-së.



