Projekti për ndërtimin e një terminali të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Shqipërinë e jugut mund të kërkojë një investim prej 1.5 deri në 2 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve fillestare të kompanisë amerikane Argent LNG.
Në një intervistë për SeeNews, kryetari dhe CEO i Argent LNG, Jonathan Bass, tha se vlera përfundimtare e investimit do të përcaktohet vetëm pasi të nisë faza e projektimit inxhinierik të detajuar, por vlerësimi aktual është në intervalin 1.5–2 miliardë dollarë.
Kompania dhe qeveria shqiptare nënshkruan javën e kaluar një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e përbashkët të terminalit, i cili synohet të shërbejë kryesisht për furnizimin e tregjeve rajonale të gazit, dhe jo për konsum të drejtpërdrejtë në Shqipëri.
Terminal me kapacitet 5 milionë tonë LNG në vit
Megjithëse kostoja përfundimtare e projektit ende nuk është përcaktuar, Argent LNG e ka përcaktuar tashmë kapacitetin e terminalit. Sipas Bass, impianti do të ketë kapacitet rigazifikimi prej 5 milionë tonësh LNG në vit.
Kompania është duke shqyrtuar disa lokacione përgjatë korridorit të planifikuar të gazit Fier – Vlorë, me synimin për të krijuar lidhje sa më të mira me infrastrukturën ekzistuese dhe të planifikuar të gazit, percjell Energy Monitor.
Në veçanti, projekti synon të lidhet me Trans Adriatic Pipeline (TAP), përmes të cilit gazi nga Azerbajxhani transportohet drejt Italisë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik. Në perspektivë, lidhjet mund të shtrihen edhe drejt Gazsjellësit Jon-Adriatik (IAP), i cili është planifikuar të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kroacinë.
Shqipëria si pikë furnizimi për rajonin
Bass tha për SeeNews se Shqipëria është duke u trajtuar si një nyje e një rrjeti më të gjerë që Argent LNG synon të ndërtojë në Evropën Qendrore dhe Juglindore.
Sipas tij, terminali në Shqipëri do të ishte pjesë e një strukture më të gjerë që përfshin edhe marrëveshjet e kompanisë me operatorin rumun të transmetimit Transgaz dhe kompaninë ukrainase Naftogaz, me synim diversifikimin dhe rritjen e qëndrueshmërisë së furnizimit me gaz në rajon.
Në gusht, Transgaz nënshkroi një memorandum me Argent LNG për të shqyrtuar mundësinë e një investimi aksionar në kompani. Një nga synimet është krijimi i mundësive për transportimin e LNG-së amerikane përmes Rumanisë drejt Moldavisë dhe Ukrainës.
Sipas Bass, infrastruktura e integruar evropiane do të mundësonte që gazi i ardhur në Shqipëri të lëvizte drejt veriut përmes mekanizmave të rrjedhës së kundërt dhe marrëveshjeve të shkëmbimit.
“Terminali është projektuar që sasitë të mund të lëvizin drejt veriut përmes rrjetit të ndërlidhur rajonal, duke i ofruar Ukrainës dhe vendeve të tjera të Ballkanit një burim alternativ furnizimi”, tha Bass për SeeNews.
Financimi pritet të kombinojë fonde publike dhe private
Për financimin e projektit, Argent LNG synon të përdorë një kombinim të kapitalit privat dhe mbështetjes nga institucione amerikane.
Sipas kompanisë, në strukturën e mundshme të financimit pritet të përfshihen U.S. Trade and Development Agency (USTDA), U.S. International Development Finance Corporation (DFC) dhe Export-Import Bank of the United States (EXIM), krahas investimeve private, percjell Energy Monitor.
Megjithatë, projekti është ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe kostoja e investimit nuk mund të përcaktohet me saktësi pa përfundimin e projektimit inxhinierik të detajuar.
Një pjesë e një strategjie më të gjerë të Argent LNG
Argent LNG është duke zhvilluar gjithashtu një terminal eksporti LNG me kapacitet 25 milionë tonë në vit në Port Fourchon, Luiziana, me synimin për të nisur furnizimin e tregjeve ndërkombëtare në fillim të vitit 2030.
Për kompaninë, projekti shqiptar është pjesë e një rrjeti më të gjerë që synon të lidhë furnizimet amerikane me tregjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore.
Në këtë kuadër, terminali i planifikuar në Shqipëri do të kishte një rol më të gjerë se furnizimi i tregut vendas, duke shërbyer si një pikë hyrëse për LNG-në në rrjetin rajonal dhe duke krijuar mundësi për furnizimin e tregjeve të Ballkanit dhe më tej.



