Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka ngritur shqetësimin për situatën e krijuar në tregun ndërkombëtar të naftës, pas raportimeve për reduktimin e furnizimeve nga Arabia Saudite drejt Evropës.
Sipas tij, dëmtimi i infrastrukturës së eksportit të naftës si pasojë e sulmeve me dronë po shkakton pasiguri në tregjet energjetike dhe rrezikon të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për ekonomitë evropiane.
Gërxhaliu ka vlerësuar se situata është veçanërisht shqetësuese për shtetet që nuk disponojnë rezerva të mjaftueshme strategjike të naftës për të përballuar ndërprerjet e mundshme të furnizimit.
“Një situatë alarmante për ekonominë evropiane, e në veçanti për ato shtete që nuk kanë rezerva shtetërore për një kohë të caktuar”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka theksuar se infrastruktura energjetike, përfshirë platformat, tubacionet dhe depot e naftës, po bëhet gjithnjë e më shumë objektiv i sulmeve në zonat e konfliktit.
“Sot në botë, burimet dhe rezervat e naftës janë në shënjestër të caqeve luftarake si kurrë më parë. Më shumë dëmtohen platformat dhe deponitë e naftës sesa që prodhohet e përpunohet ajo”, është shprehur ai.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për stabilitetin e furnizimit me energji dhe për ndikimin që çmimet e larta të naftës mund të kenë në inflacion, transport, industri dhe koston e jetesës në Evropë.
“Nga sfida në sfidë”, ka përfunduar Gërxhaliu.



