Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) do të organizojë sot, më 17 shtator, një panel diskutimi për mënyrën se si po zbatohet në praktikë tranzicioni i gjelbër nga bizneset në Kosovë dhe përfitimet që këto praktika po sjellin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).
Paneli do të mbahet nga ora 13:30 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, në kuadër të Pavijonit të Tranzicionit të Gjelbër, pjesë e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2026”, të organizuar nga OEK.
Diskutimi do të sjellë perspektiva nga bizneset, OEK, sektori i financimit të gjelbër, si dhe nga Inventari i Praktikave të Gjelbra të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM-ve).
Në fokus do të jenë praktikat e gjelbra që NVM-të në Kosovë po zbatojnë tashmë, faktorët që i shtyjnë bizneset drejt këtyre investimeve dhe përfitimet që ato sjellin. Panelistët do të diskutojnë gjithashtu për barrierat me të cilat përballen bizneset dhe për format e mbështetjes dhe financimit që mund t’i ndihmojnë ato të ndërmarrin hapa të mëtejshëm drejt tranzicionit të gjelbër.
Paneli do të moderohet nga Rinora Gojani, udhëheqëse për Informim dhe Politika për NVM-të në GPEK – Helvetas (Greening Private Enterprises in Kosovo), përcjell Energy Monitor.
Panelistë do të jenë Muela Ibrahimi nga Oda Ekonomike e Kosovës, Visar Berisha, konsulent për Inventarin e Praktikave të Gjelbra të NVM-ve në GPEK, Argjira Kadrijaj Dushi nga banka BPB dhe Valon Kupa nga prodhuesi Nallan.
Pavijoni i Tranzicionit të Gjelbër mbështetet nga projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas Kosovo.
Paneli synon të sjellë në diskutim përvojat konkrete të bizneseve, mësimet e nxjerra nga zbatimi i praktikave të gjelbra dhe mundësitë për zgjerimin e tyre në sektorin e NVM-ve në Kosovë.



