Autoriteti bullgar i konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar për shitblerjen e planifikuar të termocentralit të ContourGlobal me qymyr Maritsa East 3 nga kompania Nomad Capital Group, duke përfshirë edhe ndikimin e transaksionit në tregun e energjisë dhe ndarjen e disa prej aseteve të energjisë së ripërtëritshme.
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës në Bullgari njoftoi se ka vendosur të shqyrtojë më në detaje planin për blerjen e kontrollit mbi Maritsa East 3 dhe kompaninë që operon termocentralin, ContourGlobal Operations Bulgaria.
ContourGlobal kishte njoftuar më herët se kishte rënë dakord të shiste 73 për qind të aksioneve të saj te një kompani bullgare që operon në tregun e energjisë, ndërsa 27 për qind mbeten në pronësi të kompanisë shtetërore bullgare NEK, përcjell Energy Monitor.
Hetimi lidhet me faktin se Nomad Capital Group është kompani e krijuar së fundmi dhe pjesë e grupit Nomad, i cili operon në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike. Autoriteti bullgar dëshiron të shqyrtojë ndikimin e transaksionit në tregtinë me shumicë dhe në prodhimin dhe shitjen e energjisë elektrike, si dhe të marrë më shumë informacion për pronarin përfundimtar dhe burimin e financimit të blerjes.
Një pjesë e marrëveshjes parashikon gjithashtu ndarjen e aseteve të energjisë së ripërtëritshme të lidhura me Maritsa East 3, përfshirë një park solar dhe një sistem të magazinimit të energjisë me bateri, në një kompani të re. Për këtë ndarje, autoriteti i konkurrencës do të kërkojë opinion nga rregullatori bullgar i energjisë dhe ujit.
Maritsa East 3 është një nga asetet energjetike të ContourGlobal në rajon dhe kompania ka qenë aktive edhe në tregje të tjera të Evropës Juglindore, duke u zhvendosur vitet e fundit edhe drejt projekteve të energjisë së ripërtëritshme dhe magazinimit, njofton Energy Monitor.
Në Kosovë, ContourGlobal është e lidhur me projektin e ish-termocentralit “Kosova e Re”, i cili parashihej të kishte kapacitet prej 500 MW dhe investim rreth 1.3 miliard eurosh. Në vitin 2017, kompania dhe Qeveria e Kosovës kishin nënshkruar marrëveshjet për zhvillimin e projektit, i cili synonte të zëvendësonte një pjesë të kapaciteteve të vjetra të prodhimit të energjisë në vend.
Megjithatë, projekti nuk u ndërtua. Në vitin 2020, ContourGlobal njoftoi tërheqjen nga “Kosova e Re”, duke deklaruar se nuk planifikonte më të zhvillonte projekte me qymyr dhe duke iu referuar gjithashtu ndryshimeve politike në Kosovë. Më pas, çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar, ku Kosova u urdhërua të paguante mbi 20 milionë euro dëmshpërblim për shkelje të kontratës.
Për ContourGlobal, aktiviteti në rajon është ndërkohë shumë më i gjerë se termocentralet me qymyr. Kompania ka zgjeruar portofolin në energjinë diellore dhe magazinimin me bateri, përfshirë hyrjen në tregun grek me 37 MW kapacitete fotovoltaike dhe projekte të magazinimit me rreth 500 MW fuqi dhe afërsisht 2 GWh kapacitet magazinimi.
Transaksioni në Bullgari pritet të përcaktojë nëse dhe në çfarë forme asetet e Maritsa East 3 do të kalojnë te blerësi i ri, ndërsa autoritetet bullgare do të shqyrtojnë veçmas ndikimin e marrëveshjes në konkurrencën në tregun e energjisë.



