Rumania do të ndërtojë një sistem të madh të magazinimit të energjisë me bateri, me kapacitet prej 918 MWh, në një projekt që synon të rrisë fleksibilitetin e sistemit elektrik dhe të ndihmojë në integrimin e më shumë energjisë së ripërtëritshme.
Projekti Borzești Energy Storage do të zhvillohet në Borzești, në qarkun Bacău, nga kompania Borzești Energy Storage, në pronësi të RNV Infrastructure dhe Greenvolt Power. Renovatio Solar do të jetë përgjegjëse për projektimin, furnizimin, ndërtimin dhe vënien në funksion të sistemit, ndërsa për teknologjinë e baterive do të bashkëpunojë me kompaninë kineze CATL. Ndërtimi pritet të përfundojë brenda 12 muajve.
Sistemi do të përdoret për të ruajtur energjinë kur prodhimi është i lartë dhe kërkesa më e ulët, për shembull gjatë orëve të ditës kur centralet diellore prodhojnë shumë energji. Kjo sasi e energjisë mund të dërgohet më pas në rrjet gjatë mbrëmjes, kur kërkesa rritet dhe prodhimi diellor bie, përcjell Energy Monitor.
Përveç zhvendosjes së energjisë nga një pjesë e ditës në tjetrën, bateritë mund të reagojnë shumë shpejt ndaj ndryshimeve në kërkesën dhe prodhimin e energjisë elektrike. Kjo i ndihmon operatorit të rrjetit të ruajë ekuilibrin dhe stabilitetin e sistemit.
Me kapacitet prej 918 MWh, projekti Borzești do të jetë sistemi më i madh i këtij lloji i njoftuar deri tani në Rumani. Vendi po shton me shpejtësi kapacitetet e magazinimit, ndërsa bateritë po shihen si një pjesë e rëndësishme e zgjerimit të energjisë së diellit dhe erës. Të dhënat e fundit të Transelectrica tregojnë se Rumania kishte 1,094 MW fuqi të instaluar dhe 2,310 MWh kapacitet magazinimi më 1 shtator 2026.
Partneriteti me CATL, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të baterive, i jep Renovatio Solar qasje në teknologji dhe zinxhirë furnizimi për projekte të mëdha të magazinimit. Greenvolt ka deklaruar se ka një portofol prej rreth 5 GW projektesh të magazinimit në tregje të ndryshme, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore, përfshirë Rumaninë, janë ndër tregjet strategjike të kompanisë.
Projekti vjen në një periudhë kur Rumania po investon gjithnjë e më shumë në bateri për të përballuar rritjen e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme. Magazinat e energjisë mund të ndihmojnë që më shumë energji nga dielli dhe era të përdoret kur nevojitet, në vend që prodhimi i tepërt të humbasë ose të krijojë presion mbi rrjetin.



