Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Investimet gjermane në energjinë e ripërtëritshme në fokus të diskutimeve në Kosovë

Investimet gjermane në energjinë e ripërtëritshme në fokus të diskutimeve në Kosovë

Mundësitë për investime gjermane në energjinë e ripërtëritshme kanë qenë ndër temat e diskutuara në një takim të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, me përfaqësues gjermanë.

Kusari-Lila u takua me Klaus Nachtigall, ekspert i sigurisë me përvojë në Gjermani dhe Kosovë, si dhe me Fitim Gashin nga BEAM Construction GmbH, kompani me seli në Mönchengladbach të Gjermanisë. Sipas MINTI-t, në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet kompanive kosovare dhe gjermane, me fokus të veçantë në investimet në Kosovë.

Në kuadër të diskutimeve për investimet, ministrja Kusari-Lila veçoi energjinë e ripërtëritshme, zhvillimin e parqeve industriale dhe infrastrukturën moderne përcjellëse si fusha me potencial për bashkëpunim, përcjell Energy Monitor.

Takimi vjen në një periudhë kur Kosova po zhvillon projekte të reja të energjisë së ripërtëritshme, veçanërisht nga era dhe dielli, ndërsa investimet në kapacitete të reja gjeneruese shoqërohen me nevojën për zhvillimin e infrastrukturës së rrjetit.

Kusari-Lila tha se Kosova është e hapur për investime dhe se vendi ka potencial për zhvillim ekonomik, duke përmendur kapacitetet njerëzore dhe fuqinë e re punëtore, transmeton Energy Monitor.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimin e parqeve industriale dhe digjitalizimin e industrisë përmes eko-parqeve teknologjike. Bashkëpunimi me partnerët gjermanë u vlerësua si i rëndësishëm edhe për sjelljen e përvojës, dijes dhe kapitalit të ri në Kosovë.

MINTI nuk ka bërë të ditura projekte konkrete energjetike, vlera investimesh apo afate për realizimin e investimeve të përmendura.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com