Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të shqyrtojnë uljen e përkohshme të akcizës për derivate, duke argumentuar se rritja e çmimeve po shton kostot për bizneset, fermerët dhe konsumatorët.
DHTIK thotë se që nga fillimi i krizës ka kërkuar një tryezë të përbashkët me institucionet dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, për të diskutuar ndikimin e rritjes së kostove dhe masat që mund të ndërmerren. Sipas DHTIK, deri tani nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme institucionale për zhvillimin e një takimi të tillë.
Sipas Dhomës, rritja e çmimeve të derivateve po krijon presion shtesë për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet prodhuese që, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike, në disa raste detyrohen të përdorin gjeneratorë.
Kjo, sipas DHTIK, rrit shpenzimet për karburant dhe kostot e operimit. Ndikimi është i drejtpërdrejtë edhe në bujqësi, ku derivatet përdoren për traktorë dhe makineri gjatë përgatitjes së tokës, mbjelljes, trajtimit dhe korrjes.
DHTIK argumenton se rritja e kostove të derivateve ndikon në koston e prodhimit bujqësor dhe mund të reflektohet edhe në çmimet e produkteve. Dhoma e lidh gjithashtu rritjen e çmimeve të derivateve me rritjen e kostove të transportit, ndërtimit dhe prodhimit, përcjell Energy Monitor.
Në këtë situatë, DHTIK kërkon masa të përkohshme dhe të targetuara për sektorët më të prekur. Krahas uljes së përkohshme të akcizës, Dhoma propozon edhe skema mbështetjeje për bizneset që përdorin gjeneratorë për shkak të reduktimeve të energjisë, si dhe masa lehtësuese për fermerët.
DHTIK thotë se në vende të tjera të rajonit janë ndërmarrë masa për zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve të derivateve, përfshirë uljen e akcizës.
Dhoma kërkon gjithashtu që Qeveria të përdorë instrumente të tjera për të mbështetur ekonominë vendore, përfshirë stimulimin e konsumit të produkteve vendore.
Sipas DHTIK, rritja e kostove të energjisë, derivateve, transportit dhe inputeve të tjera e bën të nevojshëm dialogun ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit për gjetjen e masave që do të mund të zbatoheshin në praktikë.



