Është hapur thirrja për edicionin 2026 të Garës për Biznese të Gjelbra dhe Ide Inovative, përmes së cilës tre propozime nga Kosova do të përzgjidhen për të marrë pjesë në garën rajonale Balkan Green Ideas.
Gara synon të mbështesë ide dhe biznese që zhvillojnë zgjidhje miqësore ndaj mjedisit, përdorin burime lokale dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve, përcjell Energy Monitor.
Balkan Green Ideas zhvillohet në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në garën rajonale do të marrin pjesë gjithsej 18 propozime, nga tri prej secilit vend.
Dy kategori për ide dhe biznese në fazat e hershme
Aplikantët mund të konkurrojnë në njërën nga dy kategoritë.
LOT 1 është i dedikuar për ide biznesi në fazë konceptuale, për të cilat produktet ose shërbimet ende nuk janë të pranishme në treg. Mbështetja për këtë kategori mund të zgjasë deri në një vit.
LOT 2 u dedikohet bizneseve në fazat e para të zhvillimit, produktet ose shërbimet e të cilave janë në treg prej jo më shumë se tre vitesh.
Idetë dhe bizneset duhet të bazohen kryesisht në përdorimin e burimeve lokale, përfshirë punësimin e njerëzve lokalë, dhe të kenë plan për qëndrueshmëri mjedisore dhe ekonomike. Kërkohet gjithashtu qasje inovative dhe ndikim social, si dhe fokus në një nga shtatë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm: siguria ushqimore dhe bujqësia e qëndrueshme, energjia e pastër, puna dhe rritja ekonomike, qytetet dhe komunitetet e qëndrueshme, konsumi dhe prodhimi i qëndrueshëm, veprimi për klimën dhe mbrojtja e ekosistemeve tokësore.
Kush mund të aplikojë
Thirrja është e hapur për individë, ndërmarrje sociale, biznese të vogla dhe organizata jofitimprurëse që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Individët mund të aplikojnë vetëm në LOT 1. Në rast se propozimi i tyre përzgjidhet, ata duhet të regjistrojnë një entitet juridik para nënshkrimit të kontratës dhe ndarjes së fondeve.
Për ndërmarrjet sociale, bizneset e vogla dhe organizatat jofitimprurëse kërkohet që fitimi ose bilanci pozitiv të mos jetë më i lartë se 10 mijë euro, sipas kategorisë përkatëse dhe kushteve të thirrjes, transmeton Energy Monitor.
Aplikimi kërkon formularin e plotësuar, planifikimin financiar, kanavacën e modelit të biznesit dhe dokumentin që dëshmon statusin juridik të aplikantit, përveç rasteve kur aplikuesi është individ.
Tre propozime nga Kosova do të shkojnë në garën rajonale
Procesi i përzgjedhjes zhvillohet në dy faza. Fillimisht shqyrtohen propozimet dhe dokumentacioni për të verifikuar përmbushjen e kritereve bazë, ndërsa në fazën e dytë organizohet gara kombëtare mes kandidatëve që kalojnë fazën e parë.
Nga Kosova do të përzgjidhen tre propozime nga dy kategoritë, të cilat do të marrin pjesë në garën rajonale Balkan Green Ideas. Përzgjedhjen e garuesve nga Kosova e bën VentureUP.
Në garën rajonale, fituesi i LOT 1 do të garojë për fondin prej 5 mijë dollarësh, ndërsa fituesi i LOT 2 për fondin prej 10 mijë dollarësh. Garuesit nga Kosova do të konkurrojnë së bashku me përfaqësuesit e përzgjedhur nga pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Afati për aplikim është 27 shtatori
Aplikimet duhet të dërgohen në adresën info@venture-up.org, me titullin “Gara Për Biznese Të Gjelbra Dhe Ide Inovative 2026”.
Afati i fundit për aplikim është 27 shtator 2026. Gara kombëtare është planifikuar për 2 tetor, ndërsa gara rajonale Balkan Green Ideas do të mbahet nga 3 deri më 5 nëntor 2026.
Programi parashikon mbështetje financiare dhe mentorim për idetë dhe bizneset e përzgjedhura, me synim zhvillimin e inovacionit dhe nismave të gjelbra në komunitetet lokale.



