Home / Lajme / Mjedisi / Mbahet dëgjimi publik për ndikimin në mjedis të baterisë së MCC-së në Kosovë

Mbahet dëgjimi publik për ndikimin në mjedis të baterisë së MCC-së në Kosovë

Në Ferizaj është mbajtur dëgjimi publik për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) për sistemin e ruajtjes së energjisë me bateri të KOSTT-it në Sojevë.

Projekti parashikon një sistem me kapacitet prej 45 MW dhe kapacitet ruajtës prej 90 MWh, i cili do të ofrojë shërbime të rezervës automatike për rikthimin e frekuencës (aFRR), duke mbështetur fleksibilitetin dhe sigurinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Projekti financohet përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në kuadër të Kompaktit të Kosovës, ndërsa pas përfundimit sistemi do të jetë në pronësi dhe funksionim të KOSTT-it, përcjell Energy Monitor.

Dëgjimi publik është organizuar nga KOSTT në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për procesin e vlerësimit mjedisor dhe Komunën e Ferizajt. Qytetarët dhe palët e interesuara kanë pasur mundësi të informohen për projektin, të parashtrojnë pyetje dhe të paraqesin komentet e tyre lidhur me ndikimet e mundshme mjedisore dhe sociale.

Bateria në Sojevë është një nga dy pjesët e kapacitetit të përgjithshëm prej 170 MW/340 MWh të planifikuar për ruajtjen e energjisë në kuadër të Kompaktit të MCC-së. Përveç sistemit 45 MW/90 MWh të KOSTT-it, pjesa tjetër prej 125 MW/250 MWh do të menaxhohet nga Korporata për Ruajtjen e Energjisë, ESCorp.

Sipas planit të investimeve të KOSTT-it për periudhën 2026–2035, sistemi 45 MW/90 MWh është planifikuar të përdoret për rritjen e rezervës sekondare aFRR dhe integrimin e burimeve të reja të energjisë nga era dhe dielli. Projekti parashihet të lidhet me nënstacionin Ferizaj 2 përmes një kablloje 110 kV.

Dëgjimi publik është pjesë e procedurës së VNM-së për projektin dhe i paraprin fazave të mëtejshme të zhvillimit dhe realizimit të sistemit të baterive në Sojevë.

Sistemet e ruajtjes së energjisë pritet të kenë rol në rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik, veçanërisht me rritjen e kapaciteteve të reja nga energjia diellore dhe e erës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com