Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka hapur thirrjen për aplikime për skemën e subvencioneve për start-upet dhe ndërmarrjet e vogla që zhvillojnë projekte në fushën e riciklimit dhe ekonomisë qarkore.
Buxheti i përgjithshëm i skemës është 200 mijë euro, ndërsa aplikantët mund të përfitojnë subvencione nga 5 mijë deri në 20 mijë euro për projekt.
Sipas thirrjes, mbështetja financiare synon ide dhe projekte të lidhura drejtpërdrejt me mbeturinat, riciklimin dhe ekonominë qarkore, me fokus në zgjidhje që kanë ndikim të matshëm mjedisor dhe ekonomik dhe që kanë potencial të demonstrohen, zgjerohen ose përsëriten, përcjell Energy Monitor.
Kush mund të aplikojë?
Për mbështetje mund të aplikojnë start-upet e regjistruara në Kosovë, si dhe ndërmarrjet e vogla që prezantojnë një produkt, shërbim, proces ose model të ri biznesi në fushën e riciklimit dhe ekonomisë qarkore.
Aplikantët duhet të jenë subjekte juridike të regjistruara në Kosovë, të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe të mos jenë në procedurë falimentimi ose likuidimi.
Ndër kushtet e tjera janë përmbushja e detyrimeve tatimore dhe ligjore, mungesa e rasteve të keqpërdorimit të fondeve publike dhe konfliktit të interesit, si dhe paraqitja e një ideje konkrete, problemit që synohet të zgjidhet, mënyrës së zbatimit dhe matjes së rezultateve, transmeton Energy Monitor.
Pajisje, teknologji dhe produkte të reja
Skema mbulon një gamë të gjerë aktivitetesh. Ndër to janë blerja e pajisjeve dhe makinerive për ndarjen, përpunimin dhe riciklimin e mbeturinave, pajisjet për kompostim dhe përpunimin e mbeturinave organike, si dhe zhvillimi dhe testimi i prototipeve.
Mbështetja mund të përdoret edhe për zhvillimin ose përshtatjen e teknologjive dhe proceseve të riciklimit, krijimin e produkteve të reja nga materiale të ricikluara ose të ripërdorura, si dhe për software dhe zgjidhje digjitale që lidhen drejtpërdrejt me projektin.
Në kuadër të shpenzimeve të pranueshme përfshihen edhe testimet teknike, analizat laboratorike, certifikimet dhe standardizimet e nevojshme për projektin, njofton Energy Monitor.
Projektet do të vlerësohen në bazë të ndikimit në reduktimin e mbeturinave, realizueshmërisë teknike dhe planit të zbatimit, nivelit të inovacionit, qëndrueshmërisë së modelit të biznesit dhe potencialit për rritje.
Ndikimi i projektit në reduktimin e mbeturinave përbën kriterin me peshën më të madhe, me 30 pikë, ndërsa realizueshmëria teknike dhe plani i zbatimit vlerësohen me 25 pikë. Inovacioni dhe kreativiteti kanë 15 pikë, qëndrueshmëria e modelit të biznesit dhe potenciali për shkallëzim 15 pikë, arsyeshmëria e buxhetit 10 pikë dhe përfshirja e komunitetit 5 pikë.
Pragu minimal për përzgjedhje është 70 pikë nga 100.
Skema vjen në një periudhë kur kompanitë në Kosovë po përballen gjithnjë e më shumë me kërkesa për matjen dhe raportimin e ndikimit mjedisor të aktiviteteve të tyre, përfshirë përgatitjet për mekanizma të rinj evropianë si Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM).
Aplikimet pranohen deri më 23 tetor
Aplikimet mund të dorëzohen fizikisht në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Përveç kopjes fizike, kërkohet edhe dorëzimi i një kopjeje elektronike.
Afati i fundit për aplikim është 23 tetor 2026, ndërsa pyetjet lidhur me thirrjen mund të dërgohen deri më 16 tetor në adresën e kontaktit të përcaktuar nga ministria, njofton Energy Monitor.
Aplikuesit duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, formularin e buxhetit, dokumentet e regjistrimit të subjektit dhe dëshmitë për përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe ligjore. Kërkohen gjithashtu deklarata për konfliktin e interesit, vërtetësinë e të dhënave, mungesën e mashtrimit dhe financimit të dyfishtë, si dhe dokumente teknike ose financiare mbështetëse, në varësi të projektit.
Mbështetja do të monitorohet përmes raporteve narrative dhe financiare, verifikimit të faturave dhe dokumenteve, si dhe, kur është e nevojshme, përmes vizitave në terren. Shkeljet, përfshirë keqpërdorimin e fondeve, falsifikimin, korrupsionin ose financimin e dyfishtë, mund të çojnë në kthimin e mjeteve të subvencionuara.



