Rreth 35% e popullsisë së Kosovës ishte e ekspozuar ndaj të paktën një rreziku të rëndësishëm klimatik në vitin 2021, duke e renditur vendin në pjesën e sipërme të listës së ekonomive të Evropës dhe Azisë Qendrore, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore.
Të dhënat janë pjesë e raportit të Bankës Botërore “Building Resilience and Climate Adaptation in Europe and Central Asia”, i cili analizon ekspozimin ndaj thatësirave, përmbytjeve dhe valëve të të nxehtit, si dhe kapacitetin e vendeve dhe popullsive për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike.
Për Kosovën, treguesi i ekspozimit është rreth 35%, ndërsa mesatarja për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore është rreth 34%, njofton Energy monitor.
Raporti thekson se rreziqet klimatike në rajon po rriten, me thatësirat, përmbytjet, valët e të nxehtit dhe zjarret që po bëhen më të shpeshta dhe më intensive. Në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore, më shumë se një në tre persona jeton në zona të ekspozuara ndaj rreziqeve të rëndësishme klimatike.
Në rastin e Kosovës, ekspozimi është veçanërisht i rëndësishëm për infrastrukturën sociale. Banka Botërore vlerëson se rreth një e treta e shkollave dhe një e pesta e objekteve shëndetësore janë shumë të ekspozuara ndaj përmbytjeve. Kjo e rrit rrezikun që ngjarjet ekstreme të motit të ndërpresin shërbimet themelore dhe të shkaktojnë kosto shtesë për komunitetet, përcjell Energy monitor.
Përveç ekspozimit fizik ndaj rreziqeve, Banka Botërore e lidh rrezikun klimatik edhe me aftësinë e njerëzve për t’u përballur me goditjet. Të ardhurat, qasja në shërbime bazë, sigurimi social, qasja në financa, arsimi dhe infrastruktura ndikojnë në atë se sa e cenueshme është një popullsi e ekspozuar ndaj një rreziku klimatik.
Në Kosovë, mbulimi i kufizuar me mbrojtje sociale identifikohet si një prej burimeve të rëndësishme të cenueshmërisë ndaj rreziqeve klimatike. Raporti thekson se masat e mbrojtjes sociale dhe mekanizmat që u mundësojnë familjeve të përballojnë goditjet janë pjesë e rëndësishme e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Bujqësia është gjithashtu ndër sektorët që përballen me rrezik të shtuar. Banka Botërore thekson se popullsitë rurale dhe njerëzit që varen nga bujqësia janë veçanërisht të ekspozuar ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, pasi thatësirat, ndryshimet në reshje dhe mungesa e ujit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në prodhim dhe të ardhura.
Në rastin e Kosovës, Banka Botërore e ka identifikuar më herët sektorin bujqësor si veçanërisht të ndjeshëm ndaj rreziqeve ujore dhe ndryshimeve klimatike, njofton Energy monitor.

Raporti vlerëson se rritja ekonomike dhe përmirësimi i qasjes në shërbime mund ta ulin ndjeshëm numrin e njerëzve që konsiderohen në rrezik të lartë. Sipas analizës së Bankës Botërore, në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore qasja në të ardhura dhe shërbime bazë e zvogëlon ndjeshëm pjesën e popullsisë së ekspozuar që mbetet në rrezik të lartë.
Për Kosovën, Banka Botërore ka vlerësuar gjithashtu se përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike kërkon investime të konsiderueshme në infrastrukturë, bujqësi, ujë dhe mbrojtjen e popullsisë. Raporti i Bankës Botërore për klimën dhe zhvillimin e Kosovës vlerëson se vendit do t’i nevojiteshin rreth 2.8 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur njerëzit dhe pronën nga ndikimet në rritje të ndryshimeve klimatike.
Të dhënat e reja tregojnë se sfida për Kosovën nuk lidhet vetëm me reduktimin e emetimeve, por edhe me përshtatjen ndaj ndikimeve që tashmë po shfaqen.
Përmbytjet, thatësirat, valët e të nxehtit dhe zjarret kërkojnë investime në infrastrukturë më rezistente, menaxhim më të mirë të ujërave, sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe mbrojtje më të mirë të familjeve dhe sektorëve ekonomikë të ekspozuar.



