Home / Lajme / Ndërkombëtare / Von der Leyen hap dialogun për rafineritë evropiane, BE përballet me rrezik për sigurinë energjetike

Von der Leyen hap dialogun për rafineritë evropiane, BE përballet me rrezik për sigurinë energjetike

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar një “dialog strategjik” për rafineritë evropiane, në një kohë kur kapacitetet e përpunimit të naftës në Evropë po tkurren dhe varësia nga importet e karburanteve po rritet.

Rafineritë evropiane, të cilat përpunojnë naftën bruto në produkte si nafta për automjete, benzina dhe karburanti për avionë, kanë mbyllur ose reduktuar kapacitetet prej vitesh. Shkak janë bërë vjetërsimi i impianteve, përfitimet më të ulëta dhe ndryshimi i kërkesës për karburante.

Kjo ka bërë që Bashkimi Evropian të mbështetet gjithnjë e më shumë te importet e karburanteve të gatshme nga tregje si Lindja e Mesme, SHBA-ja dhe India. Ndërkohë, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet e fundit kanë shtuar pasigurinë për furnizimet energjetike.

“Qëllimi është të ulim kostot dhe të sigurojmë furnizimet që na nevojiten, edhe për mbrojtjen”, deklaroi von der Leyen para evrodeputetëve, përpara takimit të liderëve të BE-së më 15 tetor.

Dialogu politik do të drejtohet nga komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, dhe komisioneri për Mbrojtjen, Andrius Kubilius.

Situata është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve të naftës. Nafta Brent ka pasur një mesatare prej rreth 101 dollarësh për fuçi në shtator, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar.

Sipas komisionerit Jørgensen, që prej bombardimeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, BE-ja ka paguar më shumë se 100 miliardë euro kosto shtesë për importet e lëndëve djegëse fosile, pa përfshirë vetë sasinë e karburantit të importuar.

Sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse, së bashku me pezullimin e eksporteve të karburanteve nga Kina, po e rëndojnë më tej situatën. Kjo rrit rrezikun që rezervat emergjente të naftës të BE-së të shfrytëzohen më shpejt nga sa ishte parashikuar.

Evropa ka humbur 20% të kapacitetit të rafinimit

Në fund të vitit 2025, BE-ja, Britania e Madhe, Norvegjia dhe Zvicra kishin gjithsej 72 rafineri kryesore, me një kapacitet përpunimi prej 625.4 milionë tonësh në vit. Kjo është 167.6 milionë tonë më pak se në vitin 2009, një rënie prej rreth 20%.

Gjermania mbetet qendra më e madhe e rafinimit në Evropë, me 98.7 milionë tonë kapacitet në vit, e ndjekur nga Italia me 78.6 milionë, Spanja me 70.6 milionë, Holanda me 59.7 milionë dhe Franca me 57.4 milionë. Belgjika ka një kapacitet prej rreth 32 milionë tonësh.

Sipas industrisë, prej vitit 2009 janë mbyllur 35 rafineri, ndërsa disa prej impianteve janë transformuar për prodhimin e biokarburanteve.

Ekspertët paralajmërojnë se rezervat emergjente nuk mund të zëvendësojnë kapacitetin vendas të rafinimit. Sipas Ben McWilliams, nga instituti Bruegel, aftësia e Evropës për të përpunuar naftën ka një rëndësi të madhe strategjike, veçanërisht për furnizimin me naftë për automjete, benzinë, vajguri dhe produkte të nevojshme për industrinë kimike.

Por eurodeputeti i të Gjelbërve, Michael Bloss, e sheh problemin ndryshe. Sipas tij, mbyllja e rafinerive ka ardhur kryesisht për shkak të rënies së kërkesës për naftë dhe uljes së fitimeve.

Ai argumenton se BE-ja nuk duhet të investojë për të rikthyer kapacitetet e rafinimit, por për të ulur kërkesën për karburante fosile, përmes elektrifikimit të transportit rrugor, logjistikës dhe transportit hekurudhor.

Debati tashmë është kthyer në një çështje strategjike për Evropën: a duhet BE-ja të ruajë kapacitetet e veta të rafinimit për të garantuar sigurinë energjetike, apo të përshpejtojë largimin nga nafta duke investuar në transportin elektrik?

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com