Përshpejtimi i Koridorit VIII dhe zgjerimi i lidhjeve rajonale të transportit, energjisë dhe sigurisë ishin në fokus të konferencës ndërkombëtare ministrore të mbajtur më 7 dhe 8 tetor në Sofje, ku përfaqësues të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian diskutuan për zbatimin e projektit. Në këtë takim, Kosova kërkoi përfshirje të plotë në rrjetin rajonal të ndërlidhjes, duke vënë në pah rëndësinë e investimeve hekurudhore dhe lidhjeve me Shqipërinë.
Koridori VIII është një projekt panevropian që synon të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke përfshirë infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Përtej transportit, projekti po trajtohet gjithnjë e më shumë si një korridor strategjik që ndërthur tregtinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe lëvizshmërinë ushtarake.
Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, theksoi në konferencë se projekti duhet të shihet si një sistem i integruar i ndërlidhjes dhe jo si një grup segmentesh të veçanta infrastrukturore. Ndërkohë, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cilësoi koridorin si pjesë të rrjetit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e tij për lidhjen e rajonit me tregjet evropiane.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, si dhe delegacione nga vende të tjera të rajonit dhe partnerë ndërkombëtarë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kërkoi që angazhimet politike të përkthehen në projekte konkrete, me afate realiste, koordinim ndërmjet qeverive dhe mekanizma të përhershëm për monitorimin e zbatimit.
Sipas Hoxhës, Koridori VIII duhet të funksionojë si një lidhje e vetme, e jo si projekte të ndara kombëtare. Ai theksoi se infrastruktura e transportit, energjisë dhe komunikimit ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë e vendeve, duke e përshkruar ndërlidhjen infrastrukturore edhe si çështje strategjike.

Për Kosovën, diskutimet në Sofje janë të rëndësishme për shkak të synimit për të forcuar lidhjet me Shqipërinë dhe për të përmirësuar qasjen në rrjetet rajonale të transportit. Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, kërkoi përfshirjen e plotë të Kosovës në këtë rrjet dhe përmendi investimet në Linjën Hekurudhore 10, si dhe projektin e planifikuar hekurudhor Prishtinë–Durrës, si mundësi për diversifikimin e rrugëve të transportit dhe forcimin e lidhjeve ekonomike e strategjike.
Përfshirja e Kosovës në një rrjet më të gjerë ndërlidhjeje do të kishte rëndësi edhe për sektorin energjetik. Zhvillimi i infrastrukturës ndërkufitare, koordinimi ndërmjet operatorëve dhe integrimi më i madh i tregjeve mund të ndihmojnë në rritjen e shkëmbimeve energjetike dhe në përmirësimin e sigurisë së furnizimit. Megjithatë, këto përfitime varen nga projekte konkrete, kapacitete të mjaftueshme dhe marrëveshje që mundësojnë funksionimin e ndërlidhjeve në praktikë.
Një nga sfidat kryesore mbetet përfundimi i segmenteve të papërfunduara, veçanërisht lidhjes hekurudhore ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për këtë të fundit, Koridori VIII përbën prioritet strategjik, ndërsa përfaqësuesit e saj theksuan rëndësinë e përkthimit të angazhimeve politike në rezultate konkrete. Maqedonia e Veriut pritet të presë takimin e ardhshëm ministror për koridorin në Shkup.
Komisioni Evropian ka përmendur mbështetjen prej 319 milionë eurosh për projekte që lidhen me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2027, Bullgaria dhe Komisioni Evropian planifikojnë gjithashtu të bashkëorganizojnë një forum rajonal për ndërlidhjen, me synim përmirësimin e rrjeteve të transportit dhe zgjerimin e lidhjeve me korridoret e tjera ndërkombëtare.
Konferenca në Sofje synon t’i japë një shtysë të re politike projektit, por realizimi i tij do të varet nga koordinimi ndërmjet vendeve, sigurimi i financimit dhe përmbushja e afateve. Për Kosovën, çështja mbetet që lidhjet e planifikuara me Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit të shndërrohen në infrastrukturë funksionale, duke e përfshirë vendin në rrjetet më të gjera evropiane të transportit dhe ndërlidhjes ekonomike.




One Comment