Lagunat bregdetare janë ndër ekosistemet më produktive, por edhe më të brishta të Mesdheut. Në Shqipëri, ndërhyrjet e dekadave të kaluara në lumenj, ligatina dhe zona te përmbytshme kanë ndryshuar mënyrën se si laguna të rëndësishme si Karavastaja, Narta, Patoku dhe Butrinti shkëmbejnë ujë me brendësinë e territorit dhe detin. Në kushtet e temperaturave gjithnjë e më të larta, ruajtja dhe rikthimi i këtyre lidhjeve ujore po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e tyre.
Në një analizë të publikuar së fundmi, eksperti Arian Gaçe argumenton se lagunat mesdhetare për tëmbijetuar kanë nevojë të shkëmbejnë ujë jo vetvm me detin por edhe me pellgjet ujëmbledhes nëbrendësi të kontinetit nëpërmjet prurjeve të ujërave të ëmbla nga lumenjtë. Këto prurje ndikojnë në qarkullimin e ujit, transportin e sedimenteve dhe ruajtjen e kushteve të përshtatshme për ekosistemet lagunore. Shkëputja e lumenjve nga lagunat në kushtet e baticë-zbaticave të vogla tipike te detit Mesdhe mund të favorizojë grumbullimin e sedimenteve në kanalet e komunikimt dhe të përkeqësojë probleme si temperaturat e larta, rritja e kripësisë, eutrofikimi dhe mungesa e oksigjenit.
Një pjesë e këtyre ndryshimeve në Shqipëri lidhet me ndërhyrjet e kryera gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur ligatinat dhe ultësirat bregdetare u transformuan për zgjerimin e tokave bujqësore dhe kontrollin e përmbytjeve. Lumenjtë u kanalizuan, zona të përmbytshme u izoluan dhe lidhjet sezonale që dikur sillnin ujë të ëmbël në ligatina u reduktuan ndjeshëm.
“Ndryshimet klimatike nuk janë shfaqur sot. Rruzulli tokësor dhe bota e gjallë kanë kaluar përmes ndryshimeve klimatike shpesh ekstreme duke mbijetuar, por duke paguar një çmim gjithmonë shumë të lartë. Ajo që bën ndryshimet klimatike të sotme shqetësuese dhe disa herë alarmante, është shpejtësia me të cilën ato po ndodhin dhe fakti që shoqëria e sotme njerëzore dhe sistemi i saj prodhues dhe ekonomik, janë jashtëzakonisht të ndjeshëm kundrejt paqëndrueshmërisë mjedisore dhe klimatike”, shprehet për Klima Sot z. Arian Gaçe, ekspert në fushën e shkencave biologjike dhe mjedisore.
Një nga shembujt më të qartë është Laguna e Butrintit. Historikisht, lumenjtë Bistrica dhe Kalasa sillnin ujëra të ëmbla në këtë sistem lagunor, ndërsa uji qarkullonte përmes ligatinave përpara se të arrinte në Detin Jon nëpërmjet Kanalit të Vivarit. Kjo dinamikë ndryshoi pas ndërhyrjeve të viteve 1960-1970, kur rrjedha e Bistricës u devijua përmes Kanalit të Çukës drejtpërdrejt drejt detit. Ndërhyrje të ngjashme në rrjedhat ujore përreth reduktuan më tej furnizimin me ujë të ëmbël të sistemit të Butrintit.
Sot, kjo situatë bëhet veçanërisht problematike gjatë muajve të verës. Temperaturat e larta dhe qarkullimi i kufizuar favorizojnë shtresëzimin e ujit dhe uljen e përqendrimit të oksigjenit në pjesët më të thella të liqenit. Ndikimet nuk kufizohen vetëm te biodiversiteti. Butrinti është gjithashtu një zonë e rëndësishme për kultivimin e midhjes (Mytilus galloprovincialis), dhe temperaturat ekstreme të ujit dhe mungesa e oksigjenit krijojnë pasoja edhe për aktivitetin ekonomik të lidhur me akuakulturën.
“Një nga zonat ku ngrohja globale është ndjerë më tepër është pellgu i Mesdheut ku në 10 vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme të temperaturave të ujit të detit të shoqëruar me reduktim të ndjeshëm të reshjeve. Lagunat të cilat janë tipikisht sisteme ujore të cekëta dhe me qarkullim të ngadaltë të ujit, janë mjaft të ndjeshme ndaj streseve mjedisore të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve. Për arsyet e mësipërme është e domosdoshme dhe urgjente që praktikat e administrimit të këtyre ekosistemeve duhet të përqendrohen në optimizimin e regjimeve hidrike duke pranuar një herë e përgjithmonë që komponenti më i rëndësishëm në këto ekosisteme është UJI”, thekson z. Gaçe
Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe temperaturave gjithnjë e më të larta, autori propozon tëriparohet dhe zgjerohet vepra e marrjes së ujërave të Bistricës per të devijuar në mënyrë të kontrolluar rrjedhën e këtij lumi në lagunë. Uji më i ftohtë dhe i pasur me oksigjen mund të ndihmojë në përmirësimin e qarkullimit, uljen e stresit termik dhe krijimin e kushteve më të favorshme gjatë periudhave kritike të verës.
Megjithatë, një ndërhyrje e tillë kërkon studim dhe menaxhim të kujdesshëm. Ndër masat e propozuara përfshihen ato klasike si mirëmbajtja e Kanalit të Vivarit, por edhe përmirësimi i sistemit të kontrollit të devijimit të Bistricës në liqen në paralel me zhvillimi i modeleve hidrodinamike që marrin në konsideratë prurjet, temperaturën, kripësinë, oksigjenin e tretur, reshjet dhe erën. Ndërtimi i këtyre modeleve është i domosdoshëm për të optimizuar sasinë dhe periudhën më të përshtatshme të prurjeve të Bistrices drejt lagunës.
Rasti i Butrintit tregon se mbrojtja e lagunave nuk lidhet vetëm me ruajtjen e sipërfaqes së tyre, por edhe me funksionimin e proceseve natyrore që i mbajnë këto ekosisteme gjallë. Në një Mesdhe që po ngrohet, rikthimi i lidhjeve midis lumenjve, ligatinave dhe lagunave mund të jetë një element i rëndësishëm i restaurimit ekologjik dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, duke mbrojtur njëkohësisht biodiversitetin dhe aktivitetet ekonomike që varen prej këtyre ekosistemeve.
/klima.al



