Kompania shtetërore e transmetimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, MEPSO, ka kërkuar rritjen e tarifës mesatare të transmetimit për 97,68 për qind për vitin 2027, ndërsa kompania shtetërore EMV ka kërkuar rritje prej 52,7 për qind të tarifës mesatare të saj, sipas dokumenteve të dorëzuara në Komisionin Rregullator për Energjetikë.
MEPSO e ka dorëzuar kërkesën më 16 tetor, duke propozuar që tarifa mesatare e transmetimit të përcaktohet në 0,5966 denarë për kilovat-orë. Kompania kërkon që të ardhurat bazë për vitin 2027 të jenë 2,93 miliardë denarë, ndërsa të ardhurat maksimale të rregulluara të arrijnë në 3,38 miliardë denarë.
Ndërkaq, EMV ka kërkuar tarifë mesatare prej 0,6005 denarësh për kilovat-orë, që paraqet rritje prej 52,7 për qind. Sasia e planifikuar e energjisë elektrike të shpërndarë te konsumatorët për vitin e ardhshëm është rreth 221 milionë kilovat-orë, përcjell Energy Monitor.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Komisioni Rregullator, Elektrodistribucioni ende nuk i ka dorëzuar të dhënat për të ardhurat maksimale të rregulluara, pasi nuk ka përfunduar procedura e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjet.
Ndërkaq, Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike, MEMO, nuk ka kërkuar ndryshimin e tarifës mesatare për organizimin dhe menaxhimin e tregut.
Kërkesat e kompanive nuk nënkuptojnë se tarifat do të rriten automatikisht në këto nivele. Vendimi përfundimtar i takon Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Maqedonia e Veriut përballet gjithashtu me kosto të larta të energjisë elektrike për bizneset. Sipas të dhënave të cituara nga Portalb, çmimi për bizneset në vitet 2023–2024 arriti në 0,38 dollarë për kilovat-orë, krahasuar me mesataren prej 0,25 dollarësh në Ballkanin Perëndimor dhe 0,26 dollarësh në Bashkimin Evropian.



