Home / Lajme / Kosova / Janina Ymeri kërkon hetim parlamentar për tregtinë e energjisë elektrike

Janina Ymeri kërkon hetim parlamentar për tregtinë e energjisë elektrike

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, u ka bërë thirrje kolegëve në Kuvendin e Kosovës të bashkojnë forcat për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për tregtinë e energjisë elektrike në vend.

Në një postim publik, Ymeri ka kritikuar mënyrën se si institucionet po e trajtojnë këtë çështje, duke përmendur drejtpërdrejt Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Prokurorinë Speciale. Sipas saj, institucionet kanë prova në dispozicion, por pavarësisht kësaj, në rend dite ka hyrë rilicencimi i kompanive që ajo pretendon se janë aktualisht nën hetim.

Kritikat e saj shkojnë edhe te kryeministri Albin Kurti, të cilit ajo i kundërvihet për qasjen ndaj asaj që e cilëson si “mafia energjetike”. Ymeri ka theksuar se këto deklarime i bën në cilësinë profesionale dhe jo politike.

Për deputeten e LDK-së, adresa e llogaridhënies është parlamenti. “Forma e vetme e çlirimit të qytetarëve të Kosovës nga kjo fajde pa fund, është Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Ymeri u ka drejtuar apelin deputetëve që, sipas saj, janë kundër kësaj dukurie, që të mbështesin ngritjen e komisionit hetimor për tregtinë e energjisë elektrike.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com