Kosova ka paguar gjithsej 1.03 miliard euro për energjinë elektrike të importuar nga janari i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2026. Ndërkohë, gjatë vitit 2025, prodhimi vendor i energjisë ra për 12.6 për qind, ndërsa importi u rrit për 42 për qind krahasuar me vitin paraprak, sipas të dhënave të publikuara nga Atlas Institute.
Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në dy termocentrale të vjetra për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa importi mbetet i rëndësishëm për mbulimin e kërkesës së vendit.
Në një video informuese, Atlas Institute ka paraqitur të dhëna për prodhimin, konsumin, importin dhe humbjet e energjisë elektrike në Kosovë, duke vënë në pah sfidat me të cilat përballet sistemi energjetik në vend.
Sipas këtyre të dhënave, nga janari i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2026, Kosova ka paguar gjithsej 1.03 miliard euro për energjinë elektrike të importuar.
Veçanërisht, viti 2025 shënoi rritje të ndjeshme të importit. Gjatë këtij viti, vendi importoi gjithsej 1,965 gigavat-orë (GWh) energji elektrike, apo 42 për qind më shumë sesa në vitin 2024.
Ndërkohë, prodhimi vendor ishte 5,298 GWh, apo 12.6 për qind më i ulët krahasuar me një vit më parë (2024).
Atlas Institute konstaton nga çdo 100 kilovat-orë (kWh) energji elektrike të kërkuar në Kosovë, rreth 28 kWh vijnë nga importi.
Sipas të dhënave të paraqitura nga ky institut, rreth 90 për qind e energjisë elektrike të prodhuar në vend vjen nga linjiti, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga burime të tjera, përfshirë energjinë e erës, ujit dhe diellit.
Vetëm gjatë vitit 2025, në termocentrale u dërguan 7.3 milionë tonë linjit.
Termocentralet në vend janë jashtëzakonisht të vjetra, me Kosova A që ka njësi të ndërtuara gjatë viteve 1970–1975, ndërsa njësitë e Kosovës B janë ndërtuar gjatë viteve 1983–1984.
Varësia nga këto dy termocentrale e bën prodhimin vendor të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve dhe problemeve teknike, duke rritur nevojën për sigurimin e energjisë nga jashtë kur prodhimi nuk mjafton për të mbuluar kërkesën.
Njësitë prodhuese të tyre patën ndalesa të shpeshta, me gjithsej 57 ndalesa vetëm gjatë vitit 2025, sipas të dhënave.
Më 31 dhjetor 2025, në orën 18:00, kërkesa për energji elektrike në Kosovë arriti pikën maksimale në 1,624 megavat (MW), sipas shifrave të paraqitura nga Atlas Institute. Në të njëjtën kohë, kapaciteti i termocentraleve vendore për të furnizuar sistemin ishte vetëm 1,250 MW. Kjo nënkupton një diferencë prej rreth 374 MW mes kërkesës maksimale dhe kapacitetit të paraqitur të prodhimit vendor.
Një tjetër çështje e paraqitur nga Atlas Institute janë edhe humbjet e energjisë elektrike në rrjet.
Sipas të dhënave të institutit, nga çdo 100 kWh energji elektrike që hyjnë në rrjet, rreth 15 kWh humbasin para se të faturohen. Prej tyre, rreth 10 kWh lidhen me humbjet në tela dhe transformatorë, ndërsa pesë kWh të tjera paraqiten si energji që nuk paguhet.
Ndryshe, të dhënat e Atlas Institute tregojnë se familjet përbëjnë 59.7 për qind të konsumit të paraqitur, ndërsa bizneset 20.8 për qind. Pjesa tjetër ndahet ndërmjet tregut të lirë, me 7.9 për qind, industrisë, me 7.8 për qind, konsumit në veri të Kosovës, me 3 për qind, dhe ndriçimit publik, me 0.8 për qind.
Instituti ka paraqitur edhe një krahasim të kostos së energjisë së importuar me pagesën mesatare të familjeve. Sipas grafikut, energjia e importuar kushtonte rreth 12 centë për kWh, ndërsa familjet paguanin mesatarisht 8.2 centë për kWh.
Në anën tjetër, sfidat e furnizimit me energji elektrike janë theksuar edhe gjatë vitit 2026. Në videon e institutit Atlas thuhet se blloku B1 i Termocentralit Kosova B ishte jashtë pune nga 8 prilli dhe pritet të vazhdojë deri më 9 dhjetor 2026.
Ndërkohë, prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet në maj të vitit 2026 ishte 178 GWh, dukshëm më i ulët se 327 GWh të prodhuara në të njëjtin muaj të vitit paraprak.
Për vitin 2026, importi i planifikuar i energjisë elektrike paraqitet në 2,158 GWh, ndërsa pagesat për energjinë e importuar deri në shtator kanë arritur në 182 milionë euro, sipas Atlas Institute. /Buletini Ekonomik



