Viti 2016 ishte rekord për prodhimin e thëngjillit, 2020 për prodhimin e energjisë nga termocentralet, ndërsa 2025 për konsumin e energjisë elektrike. Për eksportet rekordi u shënua në 2022, ndërsa importet arritën nivelin më të lartë në 2025.
Kështu tregojnë të dhënat për periudhën 2002–2025 në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës 2026, i cili mundëson krahasimin e disa prej treguesve kryesorë të sistemit energjetik gjatë 24 viteve.
Nga viti 2002, kur Kosova po rimëkëmbte një sistem energjetik të dëmtuar rëndë nga lufta, deri në vitin 2025, treguesit kryesorë të sektorit kanë arritur nivele dukshëm më të larta. Rekordi i prodhimit të thëngjillit u shënua në 2016, i prodhimit nga termocentralet në 2020, i eksporteve në 2022, ndërsa konsumi dhe importet arritën nivelet më të larta në 2025.

Dy dekada më vonë, të dhënat tregojnë një sistem me përmasa krejtësisht të tjera. Pesë prej treguesve kryesorë të energjisë arrijnë rekordet e tyre në vetëm disa vite të periudhës 2002–2025.
Viti 2016 ende mban rekordin për prodhimin e thëngjillit në Kosovë
Më së shumti thëngjill u prodhua në Kosovë në vitin 2016, kur sasia arriti në 8,800.8 mijë tonë, ose rreth 8.8 milionë tonë. Ky është niveli më i lartë i prodhimit të thëngjillit në gjithë periudhën 2002–2025.
Thëngjilli, kryesisht linjiti, ka qenë për dekada një prej bazave të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe për këtë arsye prodhimi i tij mbetet një prej treguesve kryesorë të sistemit energjetik të Kosovës.
Ne vitin 2020 termocentralet në Kosovë prodhuan 6.66 TWh, rekordi i 24 viteve të fundit
Për prodhimin bruto të energjisë elektrike nga termocentralet, viti rekord ishte 2020. Atë vit u prodhuan 6,663 GWh, ose rreth 6.66 TWh, më së shumti në periudhën 2002–2025.
Në vitin 2002 prodhimi bruto nga termocentralet ishte 3,151.7 GWh. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, prodhimi arriti nivelin më të lartë në Kosovën e pasluftës.
Konsumi i rrymës në trend të rritjes qe 24 vjet në Kosovë, në 2025 u shënua niveli më i lartë
Rekordi i konsumit është shumë më i freskët. Më së shumti energji elektrike u konsumua në vitin 2025, kur konsumi arriti në 5,529.5 GWh, ose rreth 5.53 TWh. Në vitin 2002, konsumi ishte 1,950.4 GWh. Për më shumë se dy dekada, kërkesa u rrit dhe në vitin 2025 arriti nivelin më të lartë të shënuar 24 vitet e fundit.
Të dhënat e ZRRE-së për konsumatorët finalë tregojnë gjithashtu peshën e madhe të amvisërive. Si shembull, në vitin 2023 prej 5,199 GWh, 3,130 GWh, ose 60.2 për qind, u konsumuan nga amvisëritë.
I pathyeshëm rekordi i eksporteve të rrymës të vitit 2022
Në tregtinë e energjisë, rekordi i eksporteve u shënua në vitin 2022. Më së shumti energji elektrike u eksportua atë vit, gjithsej 3,130.7 GWh, ose rreth 3.13 TWh.
Nga viti 2002, asnjë vit tjetër deri në vitin 2025 nuk e ka kaluar këtë sasi.
Nga 490.7 GWh në 2005 në 4.18 TWh në 2025: importi i energjisë elektrike në Kosovë
Importet tregojnë një tjetër ndryshim të madh në shkallën e tregtisë së energjisë elektrike 24 vitet e fundit në Kosovë. Në vitin 2005, Kosova importoi 490.7 GWh energji elektrike. Në vitin 2025, kjo sasi arriti në 4,177.5 GWh, ose rreth 4.18 TWh.
Pra, krahasuar me vitin 2005, sasia e energjisë së importuar në vitin 2025 ishte më shumë se tetë herë më e madhe. Importet kanë lëvizur nga viti në vit, por këto dy pika tregojnë qartë se sa është rritur shkalla e tregtisë së energjisë gjatë periudhës së krahasuar.
Pesë treguesit japin një pamje të ndryshimeve që ka kaluar sistemi energjetik i Kosovës gjatë periudhës 2002–2025: rekordi i thëngjillit në 2016, i prodhimit termik në 2020, i eksporteve në 2022 dhe i konsumit e importeve në 2025.



