Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kanë diskutuar për ndërlidhjen energjetike dhe përshpejtimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore mes dy vendeve.
Takimi u zhvillua në Shkup, ndërsa në fokus ishin edhe lidhja rrugore Prizren–Tetovë dhe autostrada Shkup–Bllacë.
Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, Haxhiu theksoi se të dyja vendet kanë interes që projektet të realizohen sa më shpejt dhe që zotimet të konkretizohen, përcjell Energy Monitor.
Ajo tha se projektet e përbashkëta lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, ndërsa dëshmojnë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Haxhiu shtoi se Kuvendi i Kosovës do t’i mbështesë këto projekte dhe do ta përcjellë ecurinë e tyre deri në përfundim.
Njoftimet për takimin nuk japin hollësi të mëtejshme për projektin e ndërlidhjes energjetike, përfshirë afatet e realizimit apo investimet e parapara.



